Firma Salillari do të përfitojë edhe 3 milionë dollarë shtesë për punimet në ndërtimin e Unazës së Madhe. Sipas dokumentave, projekti i parë ishte gabim ndaj vetë ky subjekt ka hartuar një të ri sipas të cilit do të reduktohen punimet.

Firma Salillari do të përfitojë edhe rreth 3 milionë dollarë të tjera për  ndërtimin e Unazës së Madhe pasi projekti i parë rezulton të ketë qenë i gabuar.

Në fakt nuk bëhet fjalë për një tender të ri por rehabilitimit të segmentit rrugor mbikalimi i Pallatit me Shigjeta – rrethrrotullimi “Shqiponja” në Lotin e Dytë i është shtuar dhe një tjetër fond për shtesë punimesh.

Duhet kujtuar se tenderi fillestar i kushton buxhetit 1.57 miliardë lekë.

Referuar të dhënave në APP, kontratë është arritur përmes negociimit dhe Salillari e ka marrë atë duke qenë i vetëm në garë.

Madje oferta e paraqitur nga ky subjekt rezuton e barabartë me 100% të fondit limit.

I çuditshëm është edhe fakti që projekti i ri, i cili do i kushtojë buxhetit 3 milionë dollarë, është hartuar nga vetë firma fituese e cila ka vendosur reduktimin e disa punimeve.

Në dokumenta thuhet se duhet të hiqen dy nënkalimet e mjeteve në nyjen e Lanës si dhe nga dy nënkalime këmbësorësh të planifikuar tashmë do ndërtohet vetëm një.

Por pavarësisht se punimet do të reduktohen, kompanitë vijojnë të marrin tendera me vlera të konsiderueshme edhe pse do të ketë më pak punime dhe në fakt janë vetë këto autoritete që më parë i kanë miratuar.

Firma Salillari ka përfituar në Unazën e madhe 1.7 miliardë lekë për lotin e parë dhe 1.57 miliardë për Lotin e Dytë.

Këtyre shifrave u shtohet edhe fondi më i fundit i dhënë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.