Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një intervistë për gazetarin Roland Qafoku ka folur për gjendjen aktuale brenda PD.

Teksa fliste për listat e hapura të kandidatëve për deputetë, Berisha u ndalua te lënia jashtë tyre të Ervin Salianjit, Tritan Shehut, Endri Hasës apo Romeo Gurakuqit.

Berisha vlerësoi në të gjithë këtë proces punën e Komisionit të Përzgjedhjes, ndërkohë që ka shtuar se vendimin përfundimtar e merr Kryesia e Partisë.

Berisha: Kam një vlerësim për procesin dhe punën e bërë deri më sot. Ky proces i bërë dhe më parë, bëhet nëpërmjet aktivëve të PD, përveç vitit 2000 ku zgjedhja e qeveritarëve të kuvendit vendor është bërë me votat e të gjithë anëtarëve, të gjitha rastet e tjera të kandidatëve për deputetë është bërë në aktive dhe jo direkt nga anëtarësia siç është bërë këtë vit.

Komisioni i ngarkuar nga kryetari apo kryesia e PD, ka të drejtën e shqyrtimit të 1600 propozimeve. Kandidatura tregon shkallën e lartë të besimit që ekziston në potencialin e madh që PD disponon, sepse nga kjo shumësi ka prej tyre, personalitete të PD, aktivistë të saj, por ka edhe personalitete që nuk kanë qenë në flukse të tilla.  Komisioni i përzgjedhjes çfarëdo që të bënte, nuk mund të dilte jashtë teorisë së gabimit, sepse asnjë forum nuk operon dot jashtë gabimeve, por në tërësinë e vet ka bërë një punë të admirueshme.

Ka një gjë themelore për çdo forcë politike, një kriter që është gjithmonë kriter i drejtimit të partisë politike dhje ky është kriteri politik. Në këtë kontekst natyrisht, fjalën përfundimtare apo lista përfundimatre e deputetëve të PD, është vepër e Kryesisë së PD, Kryetarit dhe Këshillit Kombëtar.