Përplasja e bandave në lushnje nuk është ndalur me vrasjet e viteve 1997-1998. Hakmarrjet kanë vazhduar edhe në vitin 2017, ku u ekzekutuan dy persona.  Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka kaluar në seancë dosjen e të dyshuarve si autor për këtë ngjarje Laert Haxhiu, Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili, duke i akuzuar dhe për grup të strukturuar kriminal.

Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen për masakrën e ndodhur në Lushnje në nëntor të vitit 2017, me të pandehurit Laert Haxhiun, Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin.

Nga kjo ngjarje mbeten të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha dhe u plagos Marius Xhepexhiu dhe Bujar Turku.

Sipas prokurorisë, nga hetimet e kryera doli se objektiv i ngjarjes ka qënë vrasja e nipit te Aldo Bares, Xhulio Shkurti, si hakmarrje ndaj historikut të konflikteve midis familjeve të Xhulio Shkurtit dhe Laert Haxhiut.

Prokuroria thotë në materialin e saj se hakmarrja e ka zanafillën herët, pasi banda e Aldo Bares (Alfred Shkurtit) i ka djegur shtëpinë xhaxhait të Laert Haxhiut, shtetasit Shkëlqim Haxhiu, më pas në janar të vitit 2005, është vrarë djali i xhaxhait të Laertit shtetasi Klodjan Haxhiu.

Kjo hakmarrje ka filluar të faktohet në vitin 2010. I pandehuri Laert Haxhia ka qenë i akuzuar së bashku me të pandehurin Orgest Bilbilin, për ngjarjen e datës 08 korrik të vitit 2010 ku në lagjen “Libohova” Lushnjë është vrarë me armë zjarri shtetasi Gerti Lala me pseudonimin “Iriqi” si pjesëtar i organizatës kriminale të drejtuar nga Aldo Bare.

Për këtë ngjarje Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili janë arrestuar si të dyshuar dhe akuzuar dhe dërguar për gjykim, por më pas janë liruar pasi janë shpallur të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Vlorë.

Më vitin 2016, Laert Haxhiu tentoi të vriste Xhulio Shkurtin, vrasje të cilën nuk arriti ta finalizojë dhe tentoi përsëri në mënyrë të organizuar ta finalizojë në vitin 2017, por përsëri pa sukses.

Pikërisht mosfinalizimi i vrasjes së Xhulio Shkurtit, sipas prokurorisë qe shtysa që Laert Haxhiu të tentonte përsëri për të eliminuar Xhulio Shkurtin, por këtë radhe në mënyrë më të organizuar.

Për të realizuar këtë qëllim, ai pas shtatorit të vitit 2016 ka krijuar një grup të strukturuar në përbërje të cilit ka futur lidhjet e tij të ngushta shoqërore të pandehurit Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi si dhe persona të tjerë ende te paidentifikuar.

Ata tentuan pērsëri të vrasin Xhulio Shkurtin, por përsëri pa sukses, por si rrjedhojë e sulmit me breshëri automatikësh kanë mbetur të vrarë dy viktima (rreth shoqëror i objektivit të sulmit) dhe janë plagosur dy persona të tjerë.