Ehat Murtezajt nga qyteti i Skenderajt, në vitin 1999, forcat serbe i kanë vrarë tre anëtarë të familjes dhe i kanë djegur shtëpinë e banimit. Ehati i cili në atë botë ka qenë 13 vjeç, thotë se nuk mund të llogaritet dëmi i shkaktuar, pasi nuk ka mjete financiare që mund të shpaguajnë krimin e ndodhur.

“Në maj të vitit 1999, forcat serbe kanë vrarë gjyshin, gjyshen dhe motrën 21 vjeçare, që ishte studente në Universitetin e Prishtinës. Shtëpinë tonë e kanë gjuajtur 23 herë më predha dhe shtëpia ka marrë flakë”, thotë Murtezaj.

Edhe pse Ehati nuk ka të evidentuar koston e humbjeve materiale, mbi 22 miliardë euro llogariten dëmet e luftës që Serbia ka shkaktuar në Kosovë para dhe gjatë luftës së fundit (1990-1999), thonë ish-zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Për këtë ata thonë se pala kosovare duhet të kërkojë shpagimin e dëmeve të fundit, në procesin e dialogut që ka rinisur javën e kaluar në Bruksel.

Sipas një studimi të UNHCR-it në nëntor 1999, pothuajse 40 për qind e të gjitha shtëpive të banuara në Kosovë u dëmtuan rëndë ose u shkatërruan plotësisht, citohet në​ një raport të Organizatës për të Drejtat e Njeriut, Human Rights Watch (HRW) –

I njëjti raport thotë se sipas një vlerësimi të dëmeve, të Kombeve të Bashkuara, për 649 shkolla në Kosovë, më shumë se një e pesta e shkollave të anketuara u dëmtuan rëndë dhe më shumë se 60 për qind u shkatërruan plotësisht.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, gjate luftës në Kosovë janë vrarë mbi 13,000 persona.

Video: Sa persona janë vrarë në luftën e Kosovës?

Çështja e kompensimit të dëmeve të luftës, më 16 korrik është ngritur në Bruksel, kur rifilloi dialogu Kosovë-Serbi pas 20 muajsh pauzë.

Në këtë takim është biseduar për personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike. Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, pas takimit tha se tek ekonomia përfshihen edhe kompensimi i dëmeve të luftës edhe fondi pensional. Takimi i radhës në nivel të ekspertëve mes Kosovës dhe Serbisë mbi këto çështje është i paralajmëruar për 23 korrik.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk publikojnë të dhënat e kostos së dëmeve të luftës së shkaktuar nga Serbia në Kosovë, por thonë se ato ekzistojnë.

Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë, se të gjitha të dhënat do të paraqiten në Bruksel nga anëtarët e delegacionit dhe do të bëhen publike.

“Ka të dhëna edhe për dëmet e luftës, për dëmet në objektet e trashëgimisë kulturore, dëmet në shkolla, ka fakte” tha Beqiri.

Sa vlerësohen dëmet e luftës në Kosovë?

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ekspertët e ekonomisë dhe ish-zyrtarë të Qeverisë së Kosovës e realizuan një studim në të cilin janë vlerësuar dëmet e luftës.

Haki Shatri, ish-ministër i Financave, i cili në vitin 2006 gjatë bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës në Vjenë ka qenë koordinator i ekipit për çështje ekonomike, thotë se sipas të dhënave të ekspertëve që janë paraqitur në bisedime, dëmet në përgjithësi që Serbia i ka shkaktuar Kosovës, llogariten rreth 22 miliardë euro.

Përveç vrasjeve, dhunimeve gjatë luftës së fundit në Kosovë, Shatri thotë se serbët kanë shkaktuar dëme në sektorin publik, atë privat, pastaj siç thuhet, grabitjen e fondit pensional, depozitave të qytetarëve e shumë dëme të tjera.

“Dëmet që janë bërë – ekonomitë familjare janë shkatërruar, janë djegur bagëtitë, prona shoqërore është shkatërruar, në disa raste është plaçkitur dhe fizikisht është bartur në Serbi etj. Delegacioni nga Kosova duhet t’i paraqesë këto të dhëna në tavolinë dhe faktori ndërkombëtar duhet të shoh se çfarë ka nodhur” tha Shatri.

Mustafa: Pa shpagim të dëmeve nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve Kosovë- Serbi

Edhe Muhamet Mustafa nga Instituti “Riinvest” ka qenë koordinator i ekipit për çështje ekonomike në Grupin Negociator në Vjenë. Mustafa nuk tregon koston e dëmeve, por thotë se spastrimi i llogarive ekonomike dhe zhdëmtimi i atyre që kanë pësuar dëme gjatë luftës është çështje esenciale për normalizim të marrëdhënieve dhe për fqinjësie të mirë në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Për arsye se dëmet në pronën private gjatë luftës janë jashtëzakonisht të mëdha. Ne i kemi listuar ato të gjitha. Dhe kur është fjala për dëmet tek personat privat as shteti dhe as bashkësia ndërkombëtare nuk mund të intervenojë që të mos zhdëmtohen. Sepse Konventat ndërkombëtare, Konventa për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut e mbron pronën privat nga dëmtime çoftë me motive politike apo të luftës. Dhe këtu kemi të bëjmë me të gjitha nacionalitetet”, shprehet Mustafa.

Sheremeti: Kosova nuk ka të dhëna për dëme të luftës

Por, Furtuna Sheremeti, e cila është duke doktoruar në Belgjikë në temën për matjen e dëmeve të shkaktuara nga krimet e luftës, thotë se autoritetet e Kosovës nuk kanë treguar gatishmëri për dokumentimin e krimeve dhe dëmeve të luftës.

Sheremeti, e cila ka qene këshilltare e ish-kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, mendon se Kosova nuk ka pasur një strategji operacionale si shtet për të adresuar të kaluarën.

“Kosova pas 20 vitesh pas luftës nuk ka bërë asgjë për të adresuar dëmet. Ato që janë bërë për dokumentim janë bërë prej shoqërisë civile. Ekziston një databazë për vrasjet që kanë ndodhur në Kosovë dhe e cila mbahet nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë e cila është iniciativë e shoqërisë civile nuk është nga shteti”, thotë Sheremeti.

Rastet individuale

Në Fondin për të Drejtat Humanitare me seli në Beograd, thonë se nuk e kanë numrin e saktë të procedurave për kompensimin e dëmeve ndaj shqiptarëve të Kosovës, kundër organeve të Serbisë, sepse nuk i janë drejtuar të gjithë Fondit.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thonë se “disa prej tyre kanë paditur përmes avokatëve, të cilët janë të angazhuar në mënyrë të pavarur”.

Fondi për të Drejtën Humanitare u është drejtuar më shumë se 130 shqiptarëve të Kosovës, të cilët kanë qenë viktima të shkeljes së të drejtave njerëzore dhe ata janë përfaqësuar nga avokatët në rreth 35 lëndë për kompensim të dëmit, thuhet në përgjigjeje të këtij Fondi .

Iniciativat e qeverisë për vlerësim të dëmeve, të dështuara

Ndryshe, deri më tani, Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka paraqitur ndonjë vlerësim zyrtar të dëmeve materiale. Por, në vitin 2011, 12 vjet pa përfundimit të luftës, pati paralajmëruar se do ta nisë mbledhjen e fakteve për të argumentuar, siç ishte thënë “të vërtetën shkencore dhe profesionale për krimet e luftës”, dhe në këtë kuadër, në vitin 2011, 12 vjet pas luftës, pati krijuar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Por, me vendimin e Qeverisë së Kosovës, ai është mbyllur në vitin 2018, ndërkohë që në Ministrinë e Drejtësisë është formuar Divizioni për Drejtësi Tranzicionale, i cili është dashur të vazhdojë punën e institutit. Drejtues të këtij institucioni thonë se janë në fazën e konsolidimit dhe shumë shpejtë do nisin punën në terren.

Edhe qeveria e kaluar e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti, kishte paralajmëruar që të themelojë institutin e ri për hetimin e krimeve të luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë, përfshirë edhe krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin. Kjo megjithatë mbeti pezull pas ndërrimit të qeverisë në Kosovë. /REL/