Prej më shumë se 20 vitesh rruga ‘Gjon Simoni’ që lidh banorët e kësaj lagje më Shkozë është në gjëndje të degraduar.

Banorët shprehen të shqetësuar pasi me afrimin e dimrit kalimi në këtë aks bëhet shumë i vështirë.

”Rruga për faqe të zezë, në dimër kalohet me çizme. Rruga çahet nga uji, pastaj vetë komuniteti hedh zhavorr, për të kaluar makinat sepse bëhet kënetë. Sa më parë të shtrohet aq më mirë.”

Banorët thonë se u kanë premtuar në kohë fushate.

”Vetëm në kohën e votimeve vijnë. Do ta bëjmë thonë por nuk bëjnë gjë. Të gjithë qeveritarët për vete janë.”

Në verë përballen me pluhur e në dimër me baltë ndaj kërkojnë asfaltimin e rrugës sa më parë. Kalimi në këtë aks është shqetësues dhe për drejtuesit e mjeteve.

”Çdo 6 muaj do servis, armotizatorët, freksioni, të gjitha shkatërrohen. Ka 25 vjet që siç ka qenë e fermës ashtu është. Bashkian nuk e merr përsipër, thotë kur të rregullohet kryesore. Rruga kryesore shkatërrohet e ndërtohet 20 herë me taksat tona. Këtu më duket se nuk ka institucione.”

Banorët e kësaj lagje e njohur ndryshe si ‘Kodra e Priftit’ prej vitesh e kanë ngritur si shqetësim por nga bashkia i kanë përcjellë me argumentin se është zonë në ndërtim duke i lënë ato të pashpresë prej vitesh.