Rruga e Borshit me një investim prej 13.7 milionë euro dhe që ishte në mirëmbajtje nga kompania Salillari dhe u shemb pas reshjeve të shiut, do të kalojë në lupën e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kreu i këtij istitucioni, Arben Shehu, ka kërkuar verifikimin e  procedurës së ndjekur dhe punimet e kryera në të.

Edhe pse kompania “Salillari” për investimin në vitin 2017 mori 13.7 milionë euro,  rruga Sarandë-Vlorë u bllokua sepse në Borsh ajo u nda në mes.

Pas bërjes publike të lajmit KLSH ka zbarkuar në terren për të verifikuar situatën.

Për këtë qëllim është ngritur një grup pune i cili do të verifikojë të gjithë procedurën e realizuar për punimet e kryera përgjatë viteve të fundit në këtë aks nacional.

Po ashtu do të kërkohet verifikimi i dokumenteve në ARRSH, si enti përgjegjës.

Kreu i KLSH-së, Arben Shehu, ka kërkuar vëzhgimin me imtësi të procedurës në fjalë dhe verifikimin fizik të punimeve të kryera.

Rruga e shembur i përket zonës D, që i përket rajonit jugor-Vlorë-Gjirokastër, me gjatësi 350 kilometra, dhe me vlerë 13.7 milionë euro.

Për këtë kontratë u shpall fitues një konsorcium i përbërë nga kompania Elicatechnical Commerce Societa dhe kompania Salillari sh.p.k.

Financimi total për mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve në Shqipëri rezulton të ketë qenë 128 milion euro nga të cilat 65.9 janë dhënë nga Banka Botërore.

Pas reshjeve të dendura të shiut, shumë akse rrugorë kanë shfaqur problematika në qarkullim por edhe rrezik për qytetarët, ndaj Kontrolli i Lartë i Shtetit po kryen gjithashtu verifikimin me imtësi të disa procedurave të tjera.

LEXO EDHE: Çahet rruga në hyrje të Borshit