Bashkia e Shkodrës njofton qytetarët e saj lidhur me situatën e krijuar nga përmbytjet.

Sipas bashkisë, niveli i ujit në lumenjtë Drin dhe Buna si dhe në Liqenin e SHkodrës vijon të rritet.

Për këtë arsye, ajo apelon te banorët e zonave të rrezikuara të marrin masa për sigurimin e gjësë së gjallë, prodhimeve bujqësore, mjeteve dhe pajisjeve të ndryshme që mund të dëmtohen.

Bashkia Shkodër:

Nisur nga monitorimi dhe verifikimi në terren i përkeqësimit të situatës së rritjes së nivelit të ujërave në lumin Drin, lumin Buna dhe në Liqenin e Shkodrës, Bashkia Shkodër lajmëron të gjithë banorët në zonat e rrezikuara nga përmbytjet në njësitë administrative Ana e Malit, Dajç, Bërdicë, Velipojë, Rrethina, Guri i Zi, Shkodër, që të marrin masa për sigurimin e gjësë së gjallë, prodhimeve bujqësore, mjeteve dhe pajisjeve të ndryshme që mund të dëmtohen.

• Strukturat e Emergjencës Civile në Bashkinë Shkodër janë në nivel gadishmërie dhe në shërbim.

• Strukturat monitoruese të situatës hidrike në nivel vendor do të njoftojnë për ndryshimet në matjen e kuotës së lumenjve dhe liqenit.

• Strukturat vendore po komunikojnë në vazhdimësi me të gjitha strukturat në Qendrën Kombëtare të Mbrotjes Civile përmes Prefekturës Shkodër.

• Bashkia Shkodër do të vijojë sot me furnizimin me ujë të pijshëm në njësitë Ana e Malit dhe Dajç.