Ministria e Brendshme ka planifikuar rritje të gjobave për drejtuesit e automjeteve të cilët thyejnë rregullat e qarkullimit. ndryshimet e reja kanë kaluar për konsultim në Kuvend. Gjoba më të rënda parashikohen sidomos për shoferët e rinj, për të cilët synohet edukim me rregullat e qarkullimit rrugor.

Ministria e Brendshme ka hartuar ndryshimet në Kodin Rrugor, të cilat kanë kaluar për konsultim me grupet e interesit.

Në draftin e bërë publik këtë të premte (11 shtator) parashikohen disa ndryshime, të cilat konsistojnë në rritjen e gjobave për disa shkelje të rënda siç është tejkalimi i shpejtësisë, parakalimi i gabuar, apo mos respektimi i sinjalistikës rrugore.

Çdo drejtues mjeti që kryen parakalim të gabuar nga 3 mijë lekë që ishte më parë, gjoba bëhet deri në 10 mijë lekë, dhe nëse kjo shkelje përsëritet dy herë brenda vitit, i hiqet patenta për 1 muaj.

Përdorimi i celularit gjatë drejtimit të automjetit është kthyer në një problematikë të, që ka detyruar autoritetet të propozojnë dhjetëfishimin e gjobës minimale për këtë shkelje.

Nëse deri dje gjoba minimale për përdorimin e celularit në timon ishte 500 lekë, Ministria e Brendshme propozon që të bëhet 5 mijë lekë dhe maksimumi të shkojë deri në 15 mijë lekë.

Një tjetër shkelje siç është shkelja e përparësisë, e cila ishte nga gjobë deri në 3 mijë lekë, bëhet deri në 8 mijë lekë.

Kjo sipas relacionit synon të rregullojë kaosin që shkaktohet në rrethrrotullime. Drejtimi i automjetit pa patentë, do të ketë një rritje të masës administrative, nga 40 mijë lekë që ishte bëhet ndëshkim deri në 50 mijë lekë.

Ndryshimet e reja synojnë që të edukojnë me rregullat shoferët e rij, për të cilët ka gjoba më të rënda sidomos në rastet e tejkalimit të shpejtësisë.

Kjo ka bërë që krahas gjobës, ligjvënësi të fokusohet edhe tek heqja e pikëve, gjë e cila penalizon më tepër shoferin.

Për shembull, në rast të konstatimit të shkeljeve të rënda, maksimumi i pikëve që mund të hiqen menjëherë është 15.

Një prej risive të këtyre ndryshime është dhe fakti që nëse një shoferi i hiqen 20 pikët e patentës, ai duhet t’i nënshtrohet një kursi një javor të patentës dhe më pas mund të rifutet në provimin e patentës.

Kodi aktual parashikon vetëm rifutjen në provimin e patentës. Ndër të tjera qytetarët që sjellin një makinë nga jashtë mund ta mbajë atë me targa të huaja vetëm një vit, më pas përveç se gjobitet me 20,000 lekë, autoritetet i konfiskojnë makinën.

Kodi rrugor ka ulur gjobën maksimale për shkelje të shpejtësisë së lejuar me 10 km/h nga 6 mijë lekë në 4 mijë lekë.

Masa administrative do të ketë dhe për drejtuesit e motoçikletës, ku për mospërdorim të kaskës mbrojtëse, dënohet nga 1.500 lekë që ishte, tashmë deri në 3 mijë lekë.