“Grupi i personave që e ka pritur djalin tim pas shkollës, një ditë më herët ka publikuar në Facebook dhe Instragram, postime ku thuhej ‘nesër prehet shiptari’ dhe ‘kush do ta mbijetojë të hënën do të tregojë për të’”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Nenad Rashiq, lideri i Partisë Demokratike Progresive në Kosovë.

Në një konferencë për mediat në Çagllavicë i bëri publike këto postime.

Djali i Rashiqit, Nikolla është sulmuar të hënën, më 22 shkurt, në Llapnasellë të Graçanicës, komunë e banuar me shumicë serbe.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se në këtë sherr masiv kanë marrë pjesë nxënës të shkollës së mesme, por edhe disa persona të tjerë dhe se një person ka marrë lëndime të rënda trupore dhe më pas është dërguar në spital.

Për këtë rast, Policia ka ndaluar tetë persona, në mesin e të cilëve edhe një person të mitur. Ndaj tetë personave është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për shkak se ata dyshohen se kanë marrë pjesë në konflikt.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë u tha se Prokurori i Shtetit do të bëjë kërkesë për masën e paraburgimit ndaj të ndaluarve.

Si ndodhi konflikti?

Një grup të rinjsh e kanë pritur djalin e politikanit Rashiq para shkollës dhe kanë filluar që ta fyejnë dhe pastaj e kanë sulmuar fizikisht, duke e goditur me dorezë hekuri në kokë.

18 vjeçarit, Nikolla Rashiq i është thyer nofulla dhe tri dhëmbë.

Djali im ishte caku. Sipas mendimit tim, kjo ishte tentim-vrasje”, thotë Rashiq.

Ai mendon se e gjithë kjo është “pasojë e kundërshtimit të tij shumëvjeçar ndaj presioneve politike”.

Gjatë konferencës për media, Rashiq tha se politikanët me deklarata të papërgjegjshme kanë ndikuar në acarimin e situatës. Ai po ashtu tha se ka kërkuar nga Prokuroria që të hetojë të gjitha postimet e politikanëve, që përmbajnë etiketime të ndryshme, duke mos specifikuar se për cilët politikanë bëhet fjalë.

Rashiq po ashtu u shpreh se pas sulmit ndaj djalit të tij, Policia i ka ofruar mbrojtje, por ai nuk e ka pranuar.