Kufizimi i orarit për të ushtruar aktivitetin konsiderohet si një hap drejt falimentit prej biznesit të vogël e të mesëm. Edhe pse e pranojnë si masë kufizuese për pandeminë, ata kërkojnë nga qeveria heqjen e tarifave vendore dhe miratimin e paketave të ndihmës.
Shoqata e biznesit të vogël dhe të mesëm i konsideron të gabuara dhe të nxituara masat kufizuese të vendosura nga qeveria këtë të enjte.
Bujar Muço, nënkryetar i kësaj shoqate shprehet se prej 1 viti kur dhe nisi emergjenca shëndetësore nga qeveria kanë marrë vetëm lëmoshë.
“U dha për biznesin 26000 mijë lek të vjetra për biznesit për çdo të punësuar thashë lëmoshë sepse po atë kohë bizneset paguanin sigurimet 8000 mijë lekë.”
Mbyllja e aktiviteti në orën 20 rrezikon t’i çojë drejt falimentimit.
“Biznesi orët e pikut i ka në darkë kur shtohen aktivitetet dhe që ka një farë xhiro e ka në darkë, duke e kufizuar këtë orar duke e lë në orën dhjetë ta sjellë në orën tetë e kufizon normën e fitimit. Ne mezi po mbaheshim në orën dhjetë, po ta kufizosh në orën tetë do të thotë falimentim.”
Pagesën e taksave vendore edhe gjatë pandemisë e konsiderojnë një rëndesë të madhe, ndaj kërkojnë rishikimin.
“Qeveria duhet të na ndihmonte me sasi më të më dha për sa i përket paketave financiare duhet të bënte një bashkëpunim me pushtetin lokal për sa i përket taksave dhe tarifave që kemi në pushtetin lokal biznesi i vogël dhe i mesëm dihet që 70% taksa i ka nga pushteti lokal neve rrinim pa punë, nuk ushtronim aktivitetin pushteti lokali kërkonte taksat sigurimin, ndriçimin, gjelbërimin.”
Shoqata kërkon ngritjen e një Këshilli Kombëtar për arritjen e një përfundimi që t’i vijë në ndihmë krizës me të cilën po përballen bizneset.