E ndërsa duket sikur ndahen për çështjen e hapjes së listave, analisti Roland Lami thotë se partitë politike ja kanë dalë ta shesin mirë këtë kartë.

Lami: Duket sikur ndahen në ide në lidhje me listat e hapura por në thelb të gjithë janë dakord me këtë variant që është propozuar për listat e hapura teorikisht dhe të mbyllura praktikisht. Asgjë e re.

Për Rtv Ora, të vetmen gjë pozitive në këtë parafushatë zgjedhore sheh betejën mes dy forcave politike kryesore për të joshur shtresën e mesme.

Lami: Ka një gjetje këtë vit, ka hyrë gara për herë të parë mes PS dhe PD se kush do të joshë shtresën e mesme. Më duket shumë e zgjuar loja që po bëhet për të shkuar te shtresa e mesme, nuk ka ndodhur ndonjëherë.

Duke komentuar mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Lami tha se kryesisht ishte një “déjà vu” e 2017 me disa përjashtime.

Lami: Nuk ka asnjë ndryshim në Asamble, Kryeministri nuk do të turbullojë apo krijojë qejfmbetje në ristrukturimin e Asamblesë. U evidentua edhe njëherë si në 2017 që PS do të garojë vetëm. Nuk përbën lajm  pasi jo pa arsye hoqi koalicionet me ndryshimet në Kushtetutë. Së treti shigjetoi presidentin Meta duke evidentuar fenomenin e 2017, ku problemi është LSI.

Por në 2017 mund të kishte njëfarë justifikimi pasi kanë ndarë për një periudhë qeverisjen bashkë por tani LSI është jashtë dhe nuk e  di si justifikohet ky qëndrim. Së katërti ironizoi Bashën me etiketime të përsonalizuara si gjumashi, djali i mirë, e ngjashme me 2017. E fundit, duke sikur thërret në betejë jo kundërshtarin real që është zoti Basha por kundërshtarin që do ta pozicinojë si të tillë, zotin Meta, për një lloj diversioni apo llogarie elektorale.

Intervista në studio me gazetaren Besmira Pelushaj, përgatiti për online Besjana Kuçana