Disa familje në Vorë kundërshtojnë vendimin e bashkisë për shembjen e pallatit të tyre apo shtëpive private për ti hapur rrugë investimeve në infrastrukturë apo ndërtimit të objekteve shumë katëshe ku do të akomodohen ato familje që humbën shtëpitë nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Para 3-4 ditësh na ka thirrur bashkia dhe na ka sjellë një letër për shpronësim të pallatit. Nuk jemi dakord të lëmë shtëpitë dhe të dalim në rrugë. Nuk kemi ku shkojmë fare.”

“Nuk kemi ku të shkojmë në këtë moshë. Pallati është i banueshëm.”

“Në fillim na thanë jo, tani thonë do të prishet. Llogarite se çfarë bëhet.”

Banorët thonë se pallati i tyre nuk është dëmtuar nga tërmeti dhe se vendimi për prishje është i padrejtë.

“Pallatin nuk e prishi tërmeti, do me e prishë privati.”

“Tërmeti nuk ma ka dëmtuar fare. Asnjë vizë nuk ka shtëpia. Ai thotë sill dokumentet se do të prishet shtëpia, se për çfarë do të prishet bashkia e di.”

Për këtë arsye ata kërkojnë dhe revokimin  e vendimit.

“Kërkoj të mos më preket shtëpia se e kam bërë me djersë, më dhembin shpatullat akoma. I kam hapur themelet vetë me krahët e mia.”

Shqetësimi i tyre ka gati një javë dhe janë jo vetëm disa pallate për tu shembur por edhe shtëpi private.