Një shtetas sirian është arrestuar në aeroportin e Rinasit, pasi ka tentuar të udhëtojë me vizë të falsifikuar.

Sipas policisë, 26 vjeçari me iniciale A.A., po tentonte të largohej drejt Gjermanisë, teksa “nisur nga dyshimet në shkrimin e vizës dhe elementet e sigurisë së vizës gjermane, janë krijuar dyshime se viza mund të ishte e falsifikuar. Pas kontrollit të detajuar rezultoi se viza ishte e falsifikuar.

Sakaq në pranga ka rënë edhe një 21 vjeçar pasi u zbulua se lëvizte me pasaportë të falsifikuar.

I. K., 21 vjeç, mbajtës i pasaportës italiane, i cili udhëtonte me linjën ajrore me itinerar Itali-Rinas. Pas verifikimit në laborator pasaporta italiane dhe karta e identitetit italiane rezultuan të falsifikuara. Nga kontrolli në vijën e dytë iu gjet e fshehur në çantën e tij edhe pasaporta shqiptare me të dhënat e tij“, thuhet në njoftim.

Njëkohësisht, u ndalua edhe M. B., 22 vjeçe, në dalje të Republikës së Shqipërisë, “në vijim të hetimeve për ngjarjen e datës 23.08.2020, ku shtetasja shqiptare S. D. ka udhëtuar nga Italia në drejtim të Anglisë, e cila është kapur nga autoritetet angleze me dokumente të falsifikuara, kartë identiteti italiane dhe kartë shëndeti me të dhënat dhe gjeneralitetet e shtetases M. B”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.