Në një prononcim për mediat nga qyteti i Korçës, presidenti i Republikës Ilir Meta komentoi dekretin e tij për rikthim në Kuvend të Kodit të ri Zgjedhor dhe disa çështje të tjera që kanë përplasur kohët e fundit kreun e shtetit me kryeministrin Edi Rama dhe mazhorancën e drejtuar prej tij.

Sipas Metës, parlamenti aktual është në një situatë jokushtetuese.

Kreu i shtetit shtoi se ky dekret është një mundësi për shumicën për të rikthyer në shina Marrëveshjen e 5 Qershorit.

“Thirrja e tyre drejtuar presidentit për ta kthyer përsëri në Kuvend këtë akt. Me qëllim rikthimin e aktit në shinat e 5 qershorit, kjo ishte një arsye kryesore për t’i dhënë mundësi tjetër maxhorancë që të reflektojë, të respektojë këtë marrëveshje gjithëpërfshirëse, përndryshe padyshim që do të mbajë një përgjegjësi kritike. Jo vetëm për këtë precedent të rrezikshëm në 3 dekada në mënyrë të njëanshme dhe për vonesën pa fund të procesit të çeljes së negociatave. Respektimi i kësaj marrëveshje është kusht i padiskutueshëm për BE.”, tha Meta.