Ajo ngjarje, që më vonë u mësuam ta quanim shkurt ‘21 janari’, ka nisur si dramë e nevojave politike. Edi Ramës së asokohe i duhej të maste forcat me kundërshtarët dhe të vetët.

Ilir Metës i voliste një shpërfaqje më e fortë se skandali ku e kishte përfshirë ish-ministri i tij. Sali Berishës i duhej të provonte se nuk mund t’ia rrëzonin edhe njëherë, si shtetin ashtu dhe pushtetin, siç kishin bërë më ’97.

Tendosja e prodhuar në procesin e këtij dramatizimi politik, çoi në një tragjedi personale, familjare dhe njerëzore. Katër vetë, demonstrues opozitarë, mbetën të vrarë në bulevardin para Kryeministrisë, në shkallët e pushtetit.

Shkallë të cilat, 10 vjet më vonë, i zbret ai që priste me padurim t’i ngjiste, Edi Rama. Çfarë ka ndodhur në ndërkohën mes 21 janarit të parë dhe të dhjetit, ka qenë komedizimi i tragjedisë. Katër të vrarët u shpallën sot ‘Dëshmorë të Atdheut’, edhe pse, duhet bërë pyetja, të cilit atdhe?

Me siguri, jo të atdheut të atyre që e panë atë katërshe si mish për top në grykën oreksit te hapur gjerë të atyre që e ushtrojnë topin, tepsinë, kazanin dhe timonin prej 8 vitesh.

Atdheu është një term efemer, i zbrazët dhe pa kuptim, kur përdoret për qëllime politike, për të ndarë më shumë se për të bashkuar. Cilit atdhe i përket, për shembull, pjesëtari i ‘Grupit të zjarrit’ që pandehet të ketë shtënë mbi demonstruesit e thirrur në shesh nga PS. I njëjti që më vonë u bë kryetar i Partisë Socialiste të Matit?

Çdo vit, që nga 21 janari i parë, ka hedhur një shtresë të re cinizmi mbi ngjarjet, heronjtë dhe fajtorët. Ata tregohen me gisht, por vetëm si përpjekje për ta rindezur 21 janarin në mes të odës së debatit, sa herë ftohet prushi i zjarrit politik.

Komedia, që sot e tutje, pritet të marrë edhe një ngërdheshje të re. Do të flitet për atë se, edhe në Amerikë, ka protesta të dhunshme dhe vriten njerëz. A nuk u vranë më 6 janar, në kodrën e Kongresit, katër vetë?

E nisur si dramë, e kthyer në tragjedi, 21 janari po përfundon në farsë. Shkallët e kryeministrisë mund të ngjiten e të zbriten, nga ky apo ai kryeministër, por 21 janari i parë do të kthehet për herë të n-të, sa herë të lindë nevoja e kosto/benefiteve politike.

Jashtë kësaj nevoje, ajo ngjarje është e ftohtë dhe skërmitëse, bash si maska në fytyrat e politikës së Tiranës.