Mjeku Pëllumb Pipero në një intervistë për Ora News shprehet se duhet së paku 1.5 ose 2 vite që pandemia të vihet nën kontroll.

Sipas Piperos, krahas vaksinës duhen mbajtur edhe masat si distanca fizike apo maska.

Pipero: Virusi ka shumë të panjohura, por mendoj se duhet së paku 1.5 ose 2 vite që pandemia të vihet nën kontroll. Unë nuk pres mrekulli nga vaksina, sepse krahas saj duhet të prevalojnë edhe masat si distancat fizike dhe maskat. Edhe nëse del vaksina para fundit të vitit, kapacitet për ta prodhuar nuk janë kaq të mëdha. Sa kohë nuk kemi një vaksinë, duhet të respektojmë masat e tjera efektive parandaluese. Unë nuk besoj se Bill Gates flet pa pasur argumente shkencore nga stafi i tij, ndërsa unë flas nga eksperienca e pandemive të kaluara në botë.

Pipero tha se pritej një rritje e numrit të të infektuarve dhe shtoi se kjo ka ardhur edhe nga mos respektimi i masave.

Pipero: Pas hapjes ne prisnim një rritje të numrit të të infektuarve, por ekspozimi ka qenë shumë i madh gjatë verës. Unë nuk kam parë asnjë lokal në Tiranë apo qytetet të tjera, ku një tavolinë të jetë me karrige dhe një karrige, gjë të cilën e kam parë në Tetovë. Veçanërisht nga rinia nuk janë ruajtur masat mbrojtëse. Maska në shumë ambiente nuk është mbajtur dhe ata që e kanë e mbajnë nën gushë ose nën hundë. Prandaj të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm sepse përgjegjësia është reciproke.

Për Piperon, shkollat u hapën në kohën e duhur dhe theksoi se ditët e para do të jenë të vështira, por situata do të kthehet në normalitet.

Pipero: Hapja e shkollave ishte në kohën e duhur, por të gjithë biem dakord se pa u hapur shkollat, nuk ka hapje të shoqërisë. Prandaj duhen respektuar disa masa bazike që të ndalohet përhapja e virusit në shkolla. Javët e para në shkollë do të jenë të vështira. Ditët e para nuk janë të thjeshta. Por besoj se shumë shpejt situata do të jetë në normalitet. Dëgjova se 2-3 mësues kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.

Pipero theksoi se transmetueshmëria mes fëmijëve është shumë e ulur, por ne duhet të kemi kujdes për jetën e tyre.

Pipero: Jemi të qetë sepse transmetimi mes fëmijëve është shumë e ulët dhe mundësia për sëmundje është e vogël. Llogaritet se midis fëmijëve 2% janë rastet që janë të rënda. Parë këtë këndvështrim, edhe pse mundësia për t’u infektuar është shumë e vogël, ne duhet të kemi kujdes për jetën e tyre.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti A. Kurti