Në konferencën e tij për shtyp nga Aeroporti i Rinasi, kryeministri Edi Rama tregoi vështirësitë e operacioneve për rikthimin në Shqipëri të shqiptarëve nga kampi i Al Hawl në Siri.

Sipas kreut të qeverisë, para se të futesh në atë territor duhen marrë parasysh shumë faktorë, ndërsa shtoi se këto operacione janë të komplikuara.

Edi Rama: “Janë territore kur para se të futesh duhen marrë parasysh disa faktorë. Ju e dini shumë mirë që ne nuk kemi asnjë marrëdhënie me regjimin e Damaskut. Duhet leje kalimi i tyre. Po ashtu bëhet fjalë për të parandaluar surpriza që mund të vijnë nga momenti në moment për njerëzit.

Gjë e cila ka kërkuar një përgatitje të posaçme dhe dhe një punë shumë të detajuar të strukturës sonë, që është marrë drejtëpërdrejtë. Drejtori i anti-terrorit ka qenë vetë në territor për 4 javë.

Nxjerrja e fëmijëve nga ky ferr nuk është si nxjerrja e fëmijëve nga kopshti apo shkolla. Është një proces shumë i komplikuar. Janë në mes edhe disa prej prindërve që mbeten në pozicionet e tyre të radikalizuara. Janë në mes forcat kujdestare të kampit, që janë të tjera forca. Nuk janë forca që mund të kalosh pa surpriza apo gryka zjarri në disa segmente. E gjithë është komplekse por po e përsëris: puna e bërë brenda kampit, nga struktura dhe me praninë e drejtorit të anti-terrorit dhe të një oficeri tjetër, së bashku me shoqëruesit dhe siç e kam thënë edhe sot paradite, e gjithë kjo është mundësuar nga gjenerali Abass Ibrahim nbë Liban. Tani kemi një pamje të plotë”.

Sot mbërritën në Shqipëri Endri Dumani dhe 3 fëmijët e nusja e familjes Shuli.