Reshjet ndaluan por uji mbetet/Mbi 1900 hektarë tokë ende nën ujë në Shkodër, banorët akuza qeverisë

Disa qindra hektarë tokë në Shkodër e Lezhë mbeten ende nën ujë, ndërsa banorët vazhdojnë të përballen me vështirësitë që shkaktoi përmbytja. Në Nënshkodër akuzojnë qeverinë për mungesën e vëmendjes, ndërsa në Lezhë banorë të fshatit Ugrej hapën vetë rrugën e bllokuar që prej të shtunës.

Edhe pse reshjet intensive kanë dy ditë që kanë ndaluar, situata e përmbytjeve në ultësirën perëndimore mbetet problematike.

Mbi 1900 hektarë tokë janë në ujë në Bashkinë Shkodër, ku hidrometri në Dajç dhe liqenin e Shkodrës është në kuotat maksimale.

Në fshatin Obot që mbetet i bllokuar ka nisur shpërndarja e pakove ushqimore, ndërsa banorët e Nënshkodrës denoncuan braktisjen nga qeveria socialiste në 8 vite.

"Për 8 vjet në njësinë administrative të Dajçit nuk ka ardhur një qindarkë, një cent, nuk kemi mbështetje."

Demokratët zotohen se kur të vijnë në qeverisje do të investojnë një fond prej 50 milion eurosh në vit për kanalet vaditesë e kulluese.

"Kryetari Basha ka marrë angazhim, 50 milion euro do të investohen në vit për kanalet vaditëse dhe kulluese".

Niveli i Ujit në Lezhë ka rënë me 40 cm, por sërish disa qindra hektarë tokë mbeten nën ujë në Zadrimë e Fushën e Torovicës.

Banorët e Ugrejt në Lezhë ndërhynë vetë duke bvërë të kalueshme rrugën që lidh 9 fshatra të zonës me Kallmetin, ndërsa kryebashkiaku Pjerin Ndreu thotë se po studiohet për ndërhyrjen në zonat ku pati rrëshqitje dherash.

"Po bëhet një studim për të bërë një ndërhyrje sesi do të zgjidhet ai problem."

Dëmet e shkaktuara nga këto përmbytje janë të mëdha kryesisht në sektorin e bujqësise, por vlerësimi i tyre do të bëhet pas tërheqjes të plotë të ujit.

Vendi Lajme shkoder lezhe Sociale permbytjet ne shqiperi

EMISIONET