“Zgjedhjet kësaj radhe në Amerikë nuk do të jenë si ato të katër vite më parë por do të kemi një diferencë të konsiderueshme, të thellë dhe të qëndrueshme të kandidatit për President, Joe Biden”.

Ky është parashikimi që bën pedagogu i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës në UET, Enri Hide, lidhur me zgjedhjet e 3 nëntorit për President të SHBA.

Në një intervistë për Rtv Ora, ai thotë se edhe interesi i shqiptarëve është zgjedhje e Biden President.

Hide: Interesi ynë më i madh është fitorja e kandidatit për president Biden. Është kandidati me programin më pro shqiptar që unë kam parë gjatë 4 apo 5 presidencave të fundit të SHBA.

Si Biden dhe Trump i janë drejtuar komunitetit shqiptar në Amerikë, por sa peshë ka vota e tyre në rezultat?

Hide: Luajnë rol kyç në disa shtete të SHBA, në Pensilvani, Çikago dhe Nju Jork. Nuk prish balancat por është një votë peshë në një situatë të brishtë.

Hide analizoi edhe projeksionet e deritanishme.

Hide:  Duke pasur parasysh numrin e lartë të votuesve që kanë votuar paraprakisht rezulton se sakohë ka pasur një votim të tillë shumica e tyre kanë qenë vota të demokratëve. Kur ka një fluks kaq të lartë në votimet paraprake shumica kanë qenë të demokratëve. Nëse me këtë projeksion shkohet në zgjedhje do të shkojmë në rekordin e vitit 1908 me një pjesëmarrje mbi 60%, do të jetë një nga rekordet në historinë amerikane. Flukset e mëdha zgjedhore nuk do të thotë medeomos fitoren për njërën apo tjetrën palë. Këto lloj votash janë përgjithësisht vota që vinë si reagim ndaj një politike të caktuar, qasje të caktuar që në këtë momente kanë bërë të pakënaqur një pjesë deri diku të fjetur elektorale amerikane në raport me presidentin aktual. Jemi duke shkuar drejt një përballjeje të cilën Presidenti aktual e ka në disfavorin e vet. Biden tashmë ka vendosur fort këmbët e tij në një fitore të mundshme të Presidencës së SHBA.

I pyetur nëse koronavirusi do të kushtëzojë votën amerikane ashtu si fushatën zgjedhore, ai ka këtë përgjigje:

Hide: Kauzat elektorale kryesore në SHBA kanë qenë historikisht në lidhje me taksat, ekonominë, punësimin e me radhë. Nuk mund të themi që Trump ka shkëlqyer në të gjitha këto fusha pavarësisht disa arritjeve të tij para periudhës së koronavirusit. Ka pasur një ritje ekonomike dhe rritje të punësimit në SHBA. Por po aq e vërtetë është se ka pasur dhe shumë probleme të mëdha me polarizimin e  sistemit shoqëror, me trajtimin dashakeq dhe problematik të shtresave të caktuara të popullsisë afro-amerikane dhe emigrantëve të tjerë dhe një terësi politikash agresive. Koronavirusi ka prodhuar një situatë jo vetëm politike dhe elektorale në Amerikë por një situatë emergjence kombëtare që nuk mund të përkthehet në vota në shtete kyçe.

Duke “skanuar” katërvjeçarin e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, Hide thotë se ai nuk ka qenë President i amerikanëve por i vetes së vet.

Hide: Katër vite të Trump karakterizohen nga një polarizim i tejskajshëm i shoqërisë amerikane, një terësi elementësh propagandistik të përdorur në mënyrë krejtësisht të gabuar nga presidenti aktual, një numër i madh bashkëpunëtorësh të tij që e kanë braktisur në rrugë e sipër, një pjesë kanë pasur probleme me drejtësinë. Presidenti Trump nuk ka qenë Presidenti i amerikanëve por President i vetes së vet.

Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana