Organizata Reporterët pa Kufij, ripërsëriti thirrjen drejtuar autoriteteve shqiptare për të mos ndërhyrë në linjën editoriale të dy televizioneve, Ora dhe Ora News, pas vendimit të Gjykatës së Apelit që la në fuqi masën e sekuestrimit. Një deklaratë e organizatës bën thirrje për pluralizëm mediatik, përfshirë edhe të zërave më kritikë.

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit që la në fuqi masën e sekuestrimit ndaj televizioneve Ora dhe Ora News, organizata Reporterët pa Kufij u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të mos ndërhyjnë në linjën editoriale.

Të dy televizionet që kritikojnë shpesh kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ishin midis 26 pasurive të sekuestruara biznesmenit Ylli Ndroqi me një vendim të 3 gushtit të Gjykatës së Posaçme dhe kërkesë të SPAK-ut. Organizata thotë se Ministria e Brendshme është ngarkuar me administrimin e dy televizioneve dhe zhvilloi një inventar së bashku me policinë e shtetit.

Këto dy televizione, vijon deklarata e Reporterëve Pa Kufij, janë të njohur si një zë kritik ndaj autoriteteve dhe vazhdimisht kryebashkiaku i Tiranës është përpjekur t’i ndalojë ato.

“Hetimi ndaj pronarit të televizionit nuk duhet të kërcënojë linjën editoriale dhe pavarësinë e gazetarëve,” tha kryeredaktorja e Reporterëve Pa kufij, Pauline Adès-Mével.

“Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme parlamentare të pranverës, është më e rëndësishme se kurrë që autoritetet të respektojnë pluralizmin mediatik dhe të lejojnë të gjitha këndvështrimet, përfshirë dhe ato më kritiket,” thekson Adès-Mével.

Për vitin 2020, Shqipëria u rendit e 84 në Indeksin e Lirisë së Shtypit që hartohet nga Reporterët pa Kufij, nga 180 vende të vrojtuara.