Vijojnë kontrollet e imtësishme në Elbasan nga forcat speciale RENEA dhe Shqiponjat.

Aktualisht në rrethrrotullimin e Bradasheshit janë duke u kryer kontrolle te rrepta.

Pas ekzekutimit mafioz të Bujar Çelës mëngjesin e sotëm, forcat speciale RENEA kanë zbarkuar në Elbasan.

Pak më herët ditën e sotme u prangos Erion Alibej, si porositësi dhe organizatori i vrasjes së vëllait të Talo Çelos, si dhe Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt.

Edhe ditën e djeshme u ushtruan kontrolle në Elbasan dhe zonën përreth, kryesisht në zonën e Bradasheshit.

Kontrollet nisën pas vrasjes së 50-vjeçarit Bujar Çela, vëllai i të shumëkërkuarit nga drejtësia Talo Çelës.

49-vjeçari, Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.

49-vjeçari akuzohet si autori i dyshuar i grabitjes së miliona eurove në aeroportin e Rinasit më datë 9 prill 2019, ku disa persona nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare që po transportoheshin me avion.

Çela u akuzua se kishte ndihmuar në modifikimin e furgonit të përdorur me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, për të futur lehtësisht në pistën e Rinasit, atje dhe ku ndodhi grabitja.

Emri i Talo Çelës ka dalë në dritë përmes dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, të arrestuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia.