Ky është momenti i arrestimit të Cen Karriqit, një person me precedent kriminalë, gjatë aksionit të Forcave Speciale të Policisë së Shtetit në Milot,  Kurbin e Lezhë.

30 vjeçari u vu në pranga në një kompleks në Fushë Milot, pasi jashtë ambienteve u gjet e fshehur një pistoletë “Glock”, që korrespondonte me një krehër fishekësh  në xhupin e të riut.

Sipas policisë, ky person dyshohet të jetë edhe autori i vjedhjes se targave të shpallura në kërkim nga Policia e Shkodrës të vjedhura më 19 Shtator 2019, të cilat u gjetën brenda ambienteve rrethuese të objektit.

30-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe vjedhje.

Arma dhe targat e vjedhura ngrenë dyshimin se po përgatitej ngjarje kriminale, por burimet në këtë pikë tregohen të rezervuara nëse aksioni ishte rezultat i informacioneve të tilla.

Zyrtarisht policia thotë se fokusi i aksionit Blitz të ishin personat në kërkim, ata që mbajnë armë zjarri apo lëndë narkotike ndërsa aksioni thuhet se u ndërmor pas informacioneve të ardhura nga qytetarët.

Forcat RENEA, ata Operacionale dhe efektivë të Policisë në Kurbin e Lezhë kryen kontrolle në disa ambiente, ku janë shoqëruar për verifikim edhe  5 persona me precedentë të mëparshëm penal.

Forcat Speciale në harkun e pak javëve mësohet se kanë zhvilluar disa operacione në Kurbin, pasi sipas burimeve ka dyshime se në zonë mund të fshihen persona të përfshirë në atentatin ndaj Shkëlzen Kastrati.

Veç vrasjes së 42 vjeçarit në Fier, përgjatë shkurtit janë shënuar edhe dy ekzekutime në Vlorë e Tiranë, që ende mbeten pa autorë.