Greqia ka shënuar një rekord të ri ditor për sa i përket rasteve me koronavirus, me kryeqytetin si vatrën kryesore të infeksionit. Kampet e refugjatëve po ashtu po paraqesin një sfidë për autoritetet.

Greqia duket se po e humbet kontrollin e pandemisë së kovidit-19, duke shënuar një rekord rastesh në kryeqytet dhe në kampin e ri për refugjatë.

453 raste të reja brenda ditës e çuan mbi 15,500 numrin e të diagnostikuarve me koronavirus, ndërsa viktimat kaluan shifrën 340 që prej muajit mars.

Zonat më të frekuentuara në kryeqytetin e vendit kontribuan në përkeqësimin e bilancit ditor, me rajonin më problematik ai historik i Atikës në Athinë.

Për shkak të situatës, duke nisur nga e hëna deri më 4 tetor autoritetet kanë rikthyer në fuqi disa nga masat e vjetra antikovid, duke kufizuar në 9 veta grupimet në ambientet e jashtme dhe të brendshme; 20 veta për martesat, funeralet apo ceremonitë e pagëzimit; janë pezulluar koncertet dhe kinematë; 40 për qind e punonjësve në sektorin publik dhe privat duhet të punojnë nga shtëpia ose të paraqiten në punë në fasha të caktuara orare.

Situatë të komplikuar po përball edhe kampi i përkohshëm i refugjatëve në ishullin Lesbos, ku totali i të infektuarve me koronavirus ka kaluar 240.

Rastet janë rritur ditët e fundit me ardhjen e mijëra azilkërkuesve të mbetur të pastrehë për shkak të djegies qëllimisht të kampit të tyre të vjetër.

Mosha mesatare e të infektuarve raportohet se është 24 vjeç, shumica e personave nuk shfaqin simptoma dhe po mbahen të izoluar në dhoma të veçanta.

Me shqetësim shihet edhe rritja e numrit të pacientëve që kanë nevojë për ndihmë intensive spitalore.

Pas tre muajve izolim të rreptë, Greqia më 1 korrik rihapi portat e turizmit për të huajt.

Në raportin e publikuar një ditë më parë, Banka Qendrore raportoi një ulje me mbi 84 për qind të të ardhurave nga sektori, rënie me mbi 85 për qind të numrit të vizitorëve nga jashtë.

Në harkun kohor janar-korrik 2020, deficiti buxhetor u rrit me 5,2 miliardë euro nga viti në vit.