Maqedonia e Veriut ka regjistruar të  shtunën 594 raste të reja të Covid-19 në 2,617 teste të kryera. Ndërkohë tre pacientë kanë humbur betejën me virusin në 24 orët e fundit dhe 162 të tjerë janë shëruar.

Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve që nga fillimi i epidemisë është 23,201, numri i pacientëve të rikuperuar është 17,111, numri i vdekjeve është 824 dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 5,266.

Pavarësisht rritjes së numrit të të infektuarve, Komisioni për Sëmundje Infektive për momentin nuk parashikon aplikimin e masave më të ashpra të kufizimit të lëvizjes, përfshirë orën policore. Kryetari i këtij Komisioni, Zharko Karaxhoski ka bërë thirrje për respektimin e masave që janë në fuqi, mbajtjen e maskës, ruajtjen e distancës fizike si dhe dezinfektimin e hapësirave dhe të duarve.

“Ne për momentin nuk po mendojmë për orë policore. Por, ju lutem që të respektoni masat, pasi në rast se nuk i ndihmojmë vetvetes, atëherë nuk mund të na ndihmojë askush, as 500 mjekë e infermiere… Do të presim edhe këto 2-3 ditë dhe në rast se gjendja nuk përmirësohet, atëherë do të shohim shqyrtojmë mundësinë për aplikimin edhe të masave tjera për masa të tjera”, ka deklaruar Zharko Karaxhoski, kryetar i Komisionit për Sëmundje Infektive.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar disa masa që kanë të bëjnë me mbajtjen e maskave edhe në ambiente të hapura, përveç në rast të aktiviteteve sportive në natyrë, kufizimin e grumbullimit të më shumë se katër personave pas orës 22:00, kufizimin e kapaciteteve të objekteve të gastronomisë, por edhe kufizimin e mysafirëve nëpër familje.

Por, që këto masa të hyjnë në fuqi duhet të miratohen edhe nga kuvendi.