Në prag të ndeshjes së kombëtares shqiptare kundër Bjellorusisë e vlefshme për grupet e Nations League trajneri Edi Reja dhe kapiteni Elseid Hysaj dolën në një konferencë për shtyp.

Si tekniku italian ashtu edhe mbrojtësi shprehin bindjen për të dalë me pikë nga takimi që do të zhvillohet ditën e nesërme (4 shtator).

Reja: Objektivi është që të fitojmë të dy ndeshjet e fundjavës. Urojmë që gjithçka të shkojë mirë. Më shqetëson gjendja fizike e lojtarëve. Ka një raport të mirë mes stafit dhe lojtarëve. Shqipëria ka punuar mirë. Në stërvitje kemi bërë mirë por ndeshja është ndryshe nga stërvitje. Sigurisht që 4 pikë do ishin një rezultat shumë i mirë në dy ndeshjet e para. Bjellorusia është një kundërshtar i fortë. Shpresoj që ta kompensojmë formën e mirë me dëshirën e madhe për të dhënë maksimumin.

Hysaj: E rëndësishme është që të fillohet mirë ndeshja e parë. Duhet të marrim pikë me të 3 skuadrat.

Gjithashtu Reja u shpreh se tashmë nuk është momenti për të eksperimentuar në skuadër dhe se në fushë do të zbresin lojtarët e formacionit të parë.

Reja: Do të ketë kohë për lojtarët e rinj që t’i provojmë. Formacioni do të jetë ai që ka qenë në ndeshjet e fundit.

I pyetur në lidhje me mungesën e Ledian Memushajt, Reja tha se kualiteti i tij është i vështirë për tu zëvendësuar. Tekniku aktualisht mendon zëvendësimin e tij me Laçin por nuk është zgjedhje përfundimtare.

Reja: Memushaj është i vështirë për tu zëvendësuar. Mund të provojmë Laçin por që sërish nuk kemi vendosur përfundimisht.

Tekniku italian mendon që të shfrytëzojë të gjithë aspektet e lojtarëve teksa tha se Elseid Hysaj nuk do të aktivizohet në pozicionin e tij natyral, në mbrojtje.

Reja: Nuk kam në mend ta vendos Hysajn në mbrojtje. Ai është një lojtar i shpejtë ndaj mendoj ta aktivizoj në krahun e majtë në mesfushë.

Fokusi i trajnerit është në ndërtimin e mesfushës dhe mbrojtjes teksa në sulm, Reja nuk përjashtoi dhe mundësinë për të aktivizuar dyshen Cikalleshi dhe Sadikun.

Reja: E kam marrë në konsideratë dyshen Sadiku-Cikalleshi. Të dy janë në formë shumë të mirë. Por kemi dhe Balajn në sulm që mund ta shfrytëzojmë por aktualishjt nuk më shqetëson sulmi më shumë se sa më shqetëson prapavija.