Drejtori i përgjithshëm i burgjeve i është drejtuar disa hërë gjykatave duke kërkuar futjen në regjim të posaçëm të dënuarve që kryejnë shkeje ne institucion. Rasti më i fundit është për të dënuarin për vrasje Ndue Zefi i cili është dënuar për tre muaj pas organizimit të një peticioni për të paraburgosurin Ragip Hajdini, i cili vdiq pak kohë me parë në spital.

Gjykata e Tiranës ka dënuar me regjim të posaçëm për tre muaj, të dënuarin Ndue Zefi  i dënuar për vrasje, i cili  akuzohet se organizoi pak javë me parë një  peticion  në paraburgimin 302,  për gjendjen shëndetesore të të akuzuarit për grabitjen e Rinasit, Ragip Hajdini. 

Vendimi është marrë nga gjyqtari i gjykatës së Tiranës, Lazër Sallaku pas kërkesës së Drejtorit të Burgjeve, i cili ka kërkuar dënimin e Ndue Zefit  pasi e akuzon se ka kryer shkelje që rrezikojnë sigurinë dhe prishin rregullin në institucion.

Në vendim thuhet se ngjarja ka ndodhur në datën 17 qershor të këtij viti. Ndue Zefi ka marrë një kontakt me një të burgosur tjetër, i cili i ka dhënë një letër në formë tubi të mbështjellë me qese celofan. 

Sipas vendimit të gjykatës në letër thuhej: “Sot ditë e hënë 15 qershor ne deklaruesit deklarojmë se  jemi në dijeni të faktit se i ndjeri Ragip Hajdini në kohën kur ndodhej në institucion është ankuar për rreth dy muaj për dhimbje dhe nga institucioni janë marrë masat vetëm pas dy muajsh”.

Por pasi peticioni i është kapur dhe sekuestruar nga punonjësit e policisë së burgjeve, i dënuari Ndue  Zefi ka refuzuar të hyjë në dhomë nga vendi i ajrimit sipas rregullores ku kishte dalë me të dënuarit e tjerë.

Pasi i është bërë thirrje disa herë nga policia i burgosuri nuk ka pranuar të futet në dhomë. Gjithashtu mësohet se Zefi ka kryer edhe shkelje të tjera ku në datat 9 dhe 10 qershor ky i burgosur dhe të burgosur të tjerë kanë refuzuar të marrin ushqimin dhe në datën 11 qershor kanë shprehur në mënyrë demonstrative pakënaqësi për shërbimin shëndetetësor.

Duke e konsideruar shkejle organizimin e peticioneve dhe protestave të jashtëligjshme drejtoria e burgjeve ka vendodur futjen e tij nën regjim të posaçëm, vend i cili është miratuar nga gjykata.