Drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj ishte e ftuara e rradhës e gazetares Matilda Mcini në Ora News, ku foli mbi Reformën e Fiskalizimit dhe implementimin e tij.

“Reforma e Fiskalizimit është reforma e lëshimit të faturës elektronike. Pra, nëse më parë, ose deri ditën e sotme, ne kemi pasur fatura me dorë, fatura tatimore, blloqe tatimore që firmoseshin si nga shitësi ashtu edhe nga blerësi, ndërkohë për transaksionet me para në dorë kemi pasur kasat dhe lëshimin e kuponit tatimor, tashmë në bazë të ligjit për monitorimin e faturave ne do të kemi vetëm lëshim të faturave elektronike. Ato nuk do të kenë ndryshim mes shitjeve me para në dorë dhe shitjes pa para në dorë.

Ne kemi filluar implementimin e kësaj reforme, më datë 1 janar 2021 për të gjitha faturat që lëshohen nga tatimpaguesit drejt enteve publike. Faza e dytë e implementimit është faza bussines to bussines ose lëshimi i faturës elektronike për të gjitha transaksionet pa para në dorë, e cila fillon në datë 1 korrik. Dhe e gjithë reforma konkludohet në datën 1 shtator, datë në të cilën hyn në fiskalizim të gjithë transaksionet me para në dorë ose siç e quajmë ndryshe “bussines to customer”.

Pra, gjatë këtij viti ne synojmë që të përmbyllim procesin e faturimit elektronik dhe nga 1 shtatori e tutje, të gjitha faturat që lëshohen do të lëshohen vetëm në formatin elektronik. Ku shitësi do të lëshojë faturën. Fatura do të marrë numër unik identifikimi nga administrata tatimore dhe një kod, i cili është i skanueshëm. Dhe në rastet e transaksioneve pa para në dorë fatura do të pranohet nga blerësi dhe automatikisht do të pranohet në librat e blerjeve dhe të shitjes, ndërkohë në rastin e konsumatorit, ai do të marrë faturën në dorë dhe mund të kontrollojë nëpërmjet skanimit të këtij kodi nëse fatura është e fiskalizuar apo jo“, shpjegoi Ibrahimaj.

Matilda Mcini: Pse duhej marrë një reformë e tillë?

Delina Ibrahimaj: Në rradhë të parë, Ligji për Fiskalizimin apo Ligji për Lëshimin e Faturës Elektronike është një direktivë e Komitetit Europian dhe është një proces i cili po ndodh ose ka ndodhur në të gjitha vendet e Komitetit Europian. Nëpërmjet Fiskalizimit, administrata tatimore do të marrë informacion në kohë reale për të gjitha transaksionet e kryera. Dhe jo vetëm për vlerën e transaksioneve por edhe për të gjitha elementët e faturës. Kjo do të ndihmojë administratën në uljen e invazionit dhe në kontrollin më të mirë të transaksioneve si me para në dorë ashtu edhe pa para në dorë. Librat do të mbushen automatikisht dhe tatimpaguesit nuk do të duhet të bëjnë fatura me dorë dhe të lëshojnë kupon tatimor. Do të lëshojnë vetëm një faturë, faturën elektronike. Kjo do të lehtësojë si kostot e biznesit për përmbushjen e detyrimeve tatimore. Pra, do të ulë kohën e shpenzuar për të plotësuar detyrimet që ka ndaj administratës tatimore ashtu edhe do të lehtësojë administratën në kontrollet e kryera.

Intervistoi në studio Matilda Mcini, përgatit për web-in Aurel Rakipllari