Brianna Hill, e reja nga Illinos, SHBA, e dinte që do të ishte shtatzënë kur do të jepte provimin përfundimtar në universitetin e Ligjit në Loyola, Chicago, mirëpo ajo nuk kishte parashikuar që si pasojë e pandemisë provimi përfundimtar do të shtyhej.

“Mendoja se do isha vetëm 28 javëshe shtatzënë kur do të bëja provimin. Megjithatë, për shkak të pandemisë testi u shty në tetor dhe kështu isha 38 javëshe. Bëja edhe shaka në fillim, duke thënë se do e jepja provimin nga krevati i spitalit. Por nuk më doli edhe aq shaka, e mora mësimin”, tregon Hill.

I përshtatur me kushtet e Covid-19 , versioni i ri i provimit parashikon që gjatë dy ditëve ta bësh provimin në  katër pjesë 90 minutëshe. Gjatë kësaj kohe duhet që të rrish para kompjuterit dhe të mos lëvizësh fareqë të mos dyshojnë se po kopjon.

”Mendova se ndjeva diçka 30 minuta pasi kisha nisur testin dhe thashë me vete: Shpresoj që mos më kenë plasur ujërat. Por nuk mund të kontrolloja dhe vendosa që ta mbaroja seksionin e parë. Kur u çova, e dija që isha duke lindur. Mora pushimin pas seksionit të provimit, u pastrova, mora burrin në telefon, mamanë dhe infermieren, qava pak sepse nisa të tensionohesha, dhe u ula që të bëja pjesën e dytë të provimit sepse infermierja më tha që kisha kohë përpara se të shkoja në spital”, tregon Hill.

Ajo shkoi në spital rreth orës 5.30 dhe djali i saj erdhi në jetë pak pas orës 10.

“Gjatë gjithë kohës burri im dhe unë folëm dhe vendosëm që duhet ta mbaroja testin. Edhe infermierja dhe doktoresha ishin dakord, për mua nuk kishte opsion tjetër. Ditën tjetër, spitali arriti që të siguronte një dhomë bosh për vajzën, në mënyrë që të mbaronte dhe seksionet e tjera të provimit, duke vendosur një shenjë ”Mos më shqetëso” tek dera, tregon vajza.

Hill u fut në provim dhe gjatë pushimeve u kujdes edhe për vogëlushin.

“Jam shumë e lumtur që të gjithë më ndihmuan në spital. Infermieret më ndihmuan jo vetëm sepse sapo isha bërë nënë, por edhe si një avokate e re. Burri dhe shokët e klasës mu gjendën pranë dhe ma bënë më të lehtë gjithçka, sepse siç mund ta kuptoni rrethanat nuk ishin ideale”, e mbyll rrëfimin vajza, ndërkohë që thotë se ende nuk i ka marrë përgjigjet.