Duke cituar një raport të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, ku thuhet se Shqipëria renditet e katërta në botë për largimin e intelektualëve, kreu i shtetit thotë se ky fakt është tregues i dhimbshëm që po largohet edhe kjo pjesë e shoqërisë.

Meta: Largimi i “ajkës” së shoqërisë, është një tjetër tregues i dhimbshëm se nga Shqipëria po largohen edhe qytetarët, që kanë një standard të mirë jetese, marrin një pagesë të kënaqshme dhe kanë një pronë, por për të cilët niveli i shërbimeve publike është i papranueshëm, ndjehen pa zë, të papërfaqësuar, të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen në vend dhe të pashpresë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Referendumi i 25 prillit 2021 është vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë, jo vetëm për 4 vite, por për dekadat që vijnë. Është një mundësi për të rikthyer standardet cilësore të shërbimeve, respektin dhe dinjitetin njerëzor, për ta bërë Shqipërinë një vend të jetueshëm për të gjithë, me mundësi dhe shpresa të reja, veçanërisht për rininë.

Por për Kryeministrin Edi Rama, ajo që artikulon Presidenti është propagandë. Madje pretendon se raporti i cituar nga kreu i shtetit është publikuar rreth 5 vite më parë.

Rama: Propaganda me largimet e shqiptarëve është një shëmti e madhe, që tregon karakterin e natyrën e vërtetë të opozitarëve tanë! A thua se Iliri, Saliu apo Luli e Monika nuk ishin në pushtet me vite të tëra dhe po këta do t’i kthejnë shqiptarët nga rruga, me kallamin e tyre magjik! Por një raport me të dhënat e 5-6 viteve më parë, i përdorur për politikë kundër qeverisë sot nga Presidenti i Republikës, është fiks argumenti pse shqiptarët në 25 prill duhet ta shqelmojnë jashtë organizmit politik të Shqipërisë ndërmarrjen private të LSI-së! Çfarë degradimi!

Kreu i PD-së e quajti këtë fenomen një dështim të Ramës

Basha: Edhe sot Rama u përpoq të fajësojë të tjerët për dështimet e tij. Largimi masiv i shqiptarëve është një nga dështimet më të mëdha të Ramës. Shqipëria po humb një brez të tërë prej largimeve masive të 8 viteve të fundit. Rama duhet të largohet që vendi të shpëtojë nga kjo katastrofë.