Raporti i "Freedom House", Caka: Me këto raporte sterrë, largimi i Ramës duhet të jetë i menjëhershëm

Raporti i "Freedom House", Caka: Me këto raporte sterrë,

Ish-deputetja e LSI-së, Silva Caka reagon pas publikimit të raportit të organizatës "Freedom House", titulluar ”Demokracia nën izolim”, shprehet se një nga aspektet ku Shqipëria u përkeqësua, është sjellja e Policisë ndaj qytetarëve.

“Askush nuk e harron dhunën e Policisë ndaj 15-vjeçarit që kishte dalë të luante me biçikletën e shokut të tij, arrestimin e dentistit që kishte dalë të blinte bukë për 2 prindërit e moshuar, apo dhunën e ushtruar ndaj protestuesve në 9 dhe 17 maj”, shkruan ajo.

Postimi i plotë:

Raporti Janar-Shtator 2020 i Freedom House, titulluar ”Demokracia nën izolim”, e rendit Shqipërinë ndër 80 vendet, të cilat përjetuan përkeqësim të nivelit të demokracisë gjatë izolimit për shkak të pandemisë.

Atë që të gjithë e pamë me sy dhe e përjetuam çdo ditë të izolimit, Freedom House e ka dokumentuar.

Raporti prek aspekte të ndryshme, si liria e medias, aksesi në informacion, në sistemin e drejtësisë, situata e demokracisë dhe ndarja e pushteteve apo sjellja e Policisë.

Sipas Freedom House, të gjithë këto aspekte u përkeqësuan gjatë pandemisë dhe kjo kryesisht ka ndodhur në vende që referuar lirisë së medias dhe lirive themelore të njeriut, gjithnjë janë karakterizuar nga niveli ”pjesërisht i lirë” ose ”jo i lirë”.

Sipas Raportit, situata u keqmenaxhua me VKM të ndryshme çdo ditë, të cilat shkaktonin kaos, pasiguri dhe mungesë besimi tek njerëzit.

Mungesa e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, bënë të pamundur kundërshtimin e VKM-ve haptazi të paligjshme.

E njëjta gjë ndodhi edhe me ndëshkimet që qytetarët morën si pasojë e shkeljes së  kufizimeve të tepruara, të cilat për shkak të mbylljes së gjykatave të shkallëve më të ulëta, nuk mund të kundërshtoheshin.

Gazetarët e gjetën veten më të painformuar, si pasojë e mungesës së aksesit në informacion, apo si pasojë e fshehjes dhe manipulimit me dashje të informacioneve. Një shembull i mirë për këtë janë 50 milionë euro-t e tenderave sekrete, që Qeveria ka zhvilluar në kuadër të luftës kundër Covid-19, kur në fakt as maskat e as dorezat nuk janë të karakterit sekret.

Një tjetër aspekt ku Shqipëria është përkeqësuar është edhe sjellja e Policisë ndaj qytetarëve. Askush nuk e harron dhunën e Policisë ndaj 15 vjeçarit që kishte dalë të luante me biçikletën e shokut të tij, arrestimin e dentistit që kishte dalë të blinte bukë për 2 prindërit e moshuar, apo dhunën e ushtruar ndaj protestuesve në 9 dhe 17 maj.

Izolimin, qeveria e Edi Ramës e përdori për të përfituar në çdo drejtim: zhvilloi tendera pa garë, pa limit, pa kritere, falimentoi shumë biznese dhe lejoi abuzimin e disa të tjerëve, të cilët rrinin hapur jashtë çdo kriteri, shkatërroi bizneset dhe ekonomitë familjare të secilit, u hoqi patentat atyre të cilët ishin pa miq e pa të njohur në Polici, prishi Teatrin Kombëtar, doli nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe gjatë kësaj kohe miratoi pafund ligje kundër të drejtave të shqiptarëve.

Situata jonë e përgjithshme po nxihet çdo ditë e më tepër dhe largimi i modelit të qeverisjes së Edi Ramës është dëshira më e madhe e shqiptarëve.

Me këto raporte sterrë të vazhdueshme, 25 prilli mbetet shumë larg; largimi i tij duhet të jetë i menjëhershëm, në çdo formë dhe pa asnjë kompromis.

Vendi Lajme Politikë raporti freedom house silva caka Aktualitet

EMISIONET