Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poors ka konfirmuar qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Por pandemia, informaliteti, borxhi i lartë dhe politikat qeveritare për partneritete publik-privat rrezikojnë vlerësimin në të ardhmen.

Pandemia globale po ushtron peshën e saj në ekonominë dhe parametrat fiskalë të Shqipërisë, si pasojë e uljes së dërgesave nga emigrantët dhe të investimeve të huaja direkte.

Një raport i agjencisë së vlerësimit, Standard & Poor’s, i rezervoi në fundjavë Shqipërisë të njëjtën notë “B+” për sa i përket qëndrueshmërisë financiare.

Sipas institucionit amerikan, pandemia e kovidit dhe kufizimet për qytetarët në 2020-ën do bëjnë që aktiviteti ekonomik të tkurret me të paktën 6,5 për qind, por parashikohet t’i rikthehet rritjes duke nisur nga viti i ardhshëm.

Standard & Poor’s pranon stimujt që qeveria shqiptare po i jep sektorëve më jetikë për të mënjanuar pasojat, por në rrethanat kur vendi ka varësi të madhe nga turizmi, ky sektor pritet të jetë ndër më të goditurit në këtë periudhë, çka do reduktojë ndjeshëm të ardhurat.

Ndërprerja e të ardhurave nga sektori privat mendohet se mund të zëvendësohet me rritjen e borxhit të jashtëm, por Standard & Poor’s shpreh rezerva për këtë, duke pasur parasysh kornizën relativisht të dobët institucionale të Shqipërisë dhe borxhin publik që po shkon në 80%.

“Vitin tjetër mund ta ulim vlerësimin tonë për Shqipërinë nëse, ndryshe nga parashikimet, do të shohim që financimi i deficitit të jashtëm të Shqipërisë është i pasigurt dhe po ushtron trysni te rezervat e shtetit. Vlerësimin mund ta ulim edhe nëse do të vazhdojë të rritet borxhi publik, qoftë nëpërmjet deficiteve të larta fiskale ose shlyerjes së detyrimeve ndaj partneriteteve publik-privat.”

Agjencia amerikane e vlerësimit parashikon që rrugëtimi i Shqipërisë për anëtarësim në familjen europiane do të jetë i gjatë, dhe do të kërkojë patjetër reforma për të përmirësuar klimën e biznesit dhe më shumë investime të huaja për të prekur të njëjtin nivel të ardhurash si fqinjët apo më tej edhe anëtarët e eurozonës.

Për Standard & Poor’s, përdorimi i gjerë i monedhës euro në treg dhe sistemi i vogël financiar pengojnë efektivitetin e politikave monetare të miratuara nga Banka e Shqipërisë.

Raporti rezervon kritika për sa i përket informalitetit të lartë në ekonominë shqiptare dhe PPP-të e fshehta.

Për mbi 200 partneritetet publik-privat që qeveria ka lidhur ndër vite për të përmirësuar infrastrukturën rrugore, sistemin energjetik dhe atë spitalor, agjencia amerikane shprehet nevojat e Shqipërisë e justifikojnë këtë, por shumë prej këtyre prokurimeve nuk marrin parasysh risqet financiare që i vijnë vendit dhe në mjaft raste ato i janë propozuar ekzekutivit njëanshmërisht.