Analisti Shkodran Ramadani në një intervistë për RTV Ora u shpreh se nuk beson se shumë në bisedimet e nisura nga Uashingtoni mes Kosovës dhe Serbisë.

Ramadani tha se mendon që takimi i shtatorit vështirë se do të sjellë ndonjë sukses, duke qenë se nuk dihet nëse do të ketë një administratë të dytë Trump.

Ramadani: Unë nuk besoj shumë në bisedimet e nisura nga Uashingtoni mes Kosovës dhe Serbisë. Shtëpia e bardhë e kishte kuptuar qysh në qershor se dimensioni ku do të jetë fokusi i Uashingtonit do të ishte ekonomik, jo politik. Dialogut i është shtuar edhe akuza e Gjykatës Speciale. Ndërkohë qeveria e Kosovës nuk është stabël dhe e ka të vështirë që të marrë vendime afatgjata. Presidentit Thaçi po i mbaron mandati dhe ai do ta ketë shumë të vështirë që të marrë një vendim. Është duke u pritur dita ditës, konfirmimi ose  rrëzimi i aktakuzës për Thaçit.

Prandaj mendoj se takimi i shtatorit do të jetë shumë i vështirë për të pasur një sukses, duke qenë se nuk dihet nëse do të ketë një administratë të re Trump. Po ashtu nuk ka një garanci nga administrata Biden, nëse fiton, se do të vazhdohet në të njëjtën mënyrë. Pozitive është marrëveshja historike mes Izraelit dhe emirateve të Bashkuara Arabe, por natyra e një marrëveshje me Kosovën e Serbinë nuk është e njëjtë.

Ramadani tha se problemi dhe dialogu nuk duhet të drejtohet drejt aspektit ekonomik, por politik, pasi Serbia nuk e njeh Kosovën.

Ramadani: Mendoj se diagnostifikimi i problemit mes Kosovës e Serbisë në premisa ekonomike është i gabuar sepse e shtrembëron kontekstin mes dy vendeve që është politike. Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. Serbia nuk ka problem që të futet në marrëdhënie ekonomike, por kjo ka qenë e pamjaftueshme për zhbllokimin e guaskave ku janë mbyllur të dyja shtetet. Çdo marrëveshje që synon normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka të bëjë me njohjen e Serbisë të Kosovës. Po u adresuar ky problem asnjë fuqi dhe marrëveshje nuk mund ta adresojë raportin.

Mendoj se partitë duhet të mbështetin dialogun e Kosovës, sepse aty po tentohet që të gjendet një zgjidhje, që është një konflikt i ngrirë me Serbisë, që në çdo çast mund të shkrijë dhe të marrë një drejtim shumë të keq. Partitë e kanë marrë si të mirëqenë garantin që kanë dhënë vendet evropiane. Partitë duhet të ndërtojnë më shumë ura bashkëpunimi dhe të gjejnë një rrugëdalje për këtë çështje.

Intervistoi Xhoi Malësia, përgatiti A. Kurti