Bizneset e vogla të cilat kryejnë një xhiro deri në 14 milionë lekë të reja nuk do të paguajnë asnjë tatim fitimi ndërsa për ata me xhiro nën 10 milionë lekë nuk do të ketë as tatim fitim dhe as TVSH.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Rama gjatë një konference për shtyp, duke e cilësuar këtë si një masë unikale në rajon që do t’i japë frymë biznesit të vogël të goditur prej muajsh nga pandemia.

Edi Rama: ‘Përkon me zotimin tonë për ta mbështetur fuqimisht çdokënd që krijon punë për veten, për familjen, për të tjerët, dhe që bëhet pjesë e komunitetit e biznesit të vogël.”

Nga kjo skemë e re do të përfitojnë 14% e bizneseve në vend heqje të tatim fitimit, ndërsa 77% e tyre heqje të tatim fitimit bashkë me TVSH.

Edi Rama: ”Të dyja së bashku, këto kategori nga ky moment, pas kalimit të ligjit në parlament e kanë zero.”

Duke ju referuar akuzave të opozitës për favorizimin e oligarkëve Rama u shpreh se taksimi për biznesin e madh është rritur.

Edi Rama: ‘‘Këta sot paguajnë 15% taksë, para 7 vitesh paguanin 10%. Ne kemi taksuar më shumë ata që fitojnë më shumë.”

Projekt-ligji për heqjen e tatim fitimit është miratuar në Kuvend në korrik të këtij viti dhe hyn në fuqi në janar të vitit që vjen, deri në 2029.