Me një lëvizje të papritur, kryeministri Edi Rama deklaroi dakordësinë e tij me kërkesat e opozitës parlamentare, duke pranuar hapjen e listave. Duke e pranuar se kjo është një startegji për fitoren e PS, Rama tha se fton Bashën të bëhet pjesë e fitores.

Pas pranimit të kushteve të PD në Këshillin Politik dhe në parim kushteve të opozitës në Parlament, PS ka nisur lojën e saj për të marrë me çdo kusht mandatin e tretë.

Kryeministri, njëkohësisht kryesocialisti Rama në një komunikim me gazetarët u shpreh se është i vendosur që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shkojë me lista të hapura dhe pa koalicione zgjedhore.

Rama: Kemi vendosur që të mbështesim një hapje të listave, listat e hapura e bëjnë të pamundur formulën aktuale të koalicioneve sepse i bie të kemi një fletë votimi që do të ishte një qilim nga Universiteti te Monumenti i Skëndërbeut.

Balla: Qëndrimi zyrtar i grupit parlamentar të PS është se ne jemi dakord në parim me tre ndryshimet e propozuara. Na rezulton se shqiptarët duan jo vetëm të shprehin një votë për partinë dhe kryetarin e partisë, por edhe një votë parapëlqyese për njërin prej kandidatëve në listën e secilës prej partive që marrin pjesë në zgjedhje. E mbështesim në parim nismën e deputetëve të opozitës parlamentare.Mbështesim një hapje të listave.

Gjithçka është dakordësuar në marrëveshjen e 5 qershorit nuk do të preket. Kodin zgjedhor është depozituar në 1 korrik, me 15 korrik komisionin i ligjeve do ti diskutojë, nuk do të preket asnjë prej amendamenteve. Janë dy procese që ecin në mënyrë indipendente nga njëra-tjetra.

Edhe pse thotë që ndryshimet kushtetuese janë vetëm një kërkesë e mazhorancës, lideri i mazhorancës e pranon që ai punon për përfitimin e PS.

Rama: Nuk punoj që PS të humbë. Opozita jashtëparlamentare nuk ka asnjë alibi, zero, në funksion të mungesës së garancive. Është pjesëmarrëse nga A te Zh-ja në proces.

Kërkesa për heqjen e koalicioneve parazgjedhore nuk të kushtëzon për të bërë koalicione paszgjedhore dhe sinjalin e parë ja çoi Lulzim Bashës.

Rama: Patjetër jam i gatshëm ta bëj Lulzim Bashën dhe PD pjesë të fitores.

Duke e ditur që ka mbi kokë edhe ndërkombëtarët që kanë ndërmjetësuar marrëveshjen e 5 qershorit, Edi Rama do të duhet ta votojë pa asnjë ndryshim në parlament me 23 korrik.

Rama: Marrëveshja e 5 qershorit nuk mund të preket nga ne, PS. E kemi realizuar duke shkelur dhe mbi veten.

Ndërsa thirrja e eurokomisionerit Varherly që ndryshimet që kanë lidhje me sistemin duhet bëhen një vit para zgjedhjeve, Kryeministri u kujtoi ndërkombëtarëve që politika shqiptare nuk bën asgjë në kohë.

Rama: Nuk do të mbajmë peng marrëveshjen për të bërë gjëra të tjera. Nëse flasim për vit kalendarik, atëherë me këtë logjikë ne nuk duhet të votojmë as marrëveshjen.

Edhe pse Rama do të donte ta kishte në politikë brenda institucioneve liderin e PD, Kryeministri i mbyll derën Lulzim Bashës për zgjdhje të parakoshme vendore.