Shefi i Kabinetit të kryetarit të PD, Dorian Teliti I përgjigjet kryeministrit Edi Rama lidhur me rënditjen e “The Lancet”, sa I përket rënditjeve të shërbimeve shëndetësore në rajon.

Sipas kryeministrit, në këtë raport, Shqipëria është vlerësuar me 70 pikë dhe mban pikët më të larta në rajon.

“MIRËMËNGJES dhe me këtë vlerësim kuptimplotë për punën tonë transformuese për shëndetësinë nga prestigjozja botërore “Lancet”, e mirënjohur për nivelin e lartë të kompetencës profesionale mbi sektorin e shëndetësisë, e cila e rendit Shqipërinë me pikët më të larta në rajon dhe në një grup me disa nga vendet lindore të Bashkimit Europian, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Ndërkohë, në një postim në rrjetet sociale, Teliti shprehet realiteti në vend është ndryshe me shqiptarët që vdesin trotuareve të refuzuar dhe të përzënë nga spitalet.

 “Ndërsa sot pa gdhirë kërkon t’u mbushë mendjen shqiptarëve se shëndetësia e epokës së rilindjes është e sukseshme dhe konkurruese në botë”, shkruan Teliti.

Reagimi i plotë i Telitit:

ER inaguroi dje për herë të dytë spitalin Covid3 pa bërë asnjë transparencë për aparaturat dhe numrin e mjekëve dhe infermierëve të specializuar që duhet të jenë në shërbim të të sëmurëve me Covid.

Ndërsa sot pa gdhirë kërkon t’u mbushë mendjen shqiptarëve se shëndetësia e epokës së rilindjes është e sukseshme dhe konkurruese në botë.

Me një raport që tregon shkallën e vaksinimit të popullsisë, ai po orvatet të bindë shqiptarët se shëndetësia shqiptare është ku e ku më mirë se shëndetësia e vendeve si Turqia ku sot shkojnë për të gjetur shërim oligarkët e PPP-ve në shëndetësi.

Ndërkohë faktet janë kokëforta dhe asnjë video 3D nuk e fsheh dot të vërtetën që jemi vendi me numrin më të ulët të mjekëve për 1000 banorë në Ballkan, kemi pagat më të ulëta për mjekët, kemi buxhetin më të ulët për shëndetësinë dhe kryejmë disa herë më pak testime për COVID se çdo vend i rajonit.

Shëndetësia në 3D e ER është çështje e kinemasë, jo e realitetit.

Realiteti thotë që shqiptarët vdesin trotuareve të refuzuar dhe të përzënë nga spitalet.

Realiteti i shëndetësisë së ER thotë që mjekët dhe infermierët ikin nga sytë këmbët nga ky vend, ndërsa diploma e studentit të mjekësisë shërben thjesht si vizë pune në Gjermani“.