Sfida e pandemisë dhe vaksinimi ishin moto e kryesocialistit Rama teksa kërkoi një mandat të tretë me programin e shëndetësisë. Edhe pse nuk ka plan konkret  për shpërndarjen e dozave ai premtoi përshpejtimin e procesit. Ndërkaq ftoi dhe shefen e Infektivit Najada Çomo për tu bërë pjesë e listës së PS të kandidatëve për deputet.

Me stilin one-man show, kryeministri Edi Rama shpalosi idenë e tij se si mund të joshë qytetarët për t’i marrë votat me 25 prill duke ju servirur sfidën e pandemisë.

Shefi i mazhorancës nuk ka një datë se kur do të nisë vaksinimi në masë të popullsisë, por e sigurt është që do të jetë një nga armët e forta të tij për për fushatën elektorale të partisë që ai drejton dhe synon të hyjë në historinë e pluralizmit me një mandat të tretë.

Rama: Ambicia ime, aspirata ime, ëndrra ime po të doni është që sezoni i ardhshëm turistik të jetë i lehtësuar për shkak të një vaksinimi intensiv, mars.

Nuk ka një plan vaksinimi të qartë apo premtime të reja në sektorin e  shëndetësisë, por Edi Rama kërkon të marrë votat e qytetarëve duke përdorur shërbimin e bluzave të bardhave gjatë këtij viti të vështirë.

Dëshira e shefes së Infektivit për t’u përfshirë në politikë  ka gjetur gatishëmrinë e Kryeministrit për ta rekrutuar atë listat e PS.

Rama: Të vijë me ne jo për tu bërë deputetja e radhës në një grup deputetësh dhe deputetesh, as për të lënë vijën e zjarrit për tu ulur në një nga karriget që janë shumë më të rehatshme sesa qëndrimi.Për të qenë aty sa herë që duhet që zëri I brendshëm I hapësirave ku lufta është kacafytëse me armikun. Në mënyrë spontane nxora një sekret të vogël që nuk ishte presupozuar të dilte sot, pasi ne me shumë kënaqësi morëm aprovimin tënd. Ne nuk duam të bëhesh si ne por ne të bëhemi si ty.

Rama nuk harron t’u thotë qytetarëve që alternativa e PD është një hap pas, dhe këtë e bën me qëndrimin kritik të një doktori, ish-ministrit demokrat Halimi.

Rama: Ky është një udhëkryq. A mundet në këtë udhëkryq ti besohet fati i finales së kësaj lufte atyre që firmosën koalicion tragjikomik, atyre që qysh nga dita e parë e luftës nuk i rreshtuan njëherë bashkë me ne pranë jush, atyre që qysh nga dita e parë e kësaj lufte zgjodhën të bëhen aleat me Covidin vetëm pse Covidi ishte armiku i deklaruar i kësaj qeverie.

Ata që nuk humbën as një ditë pa hedhur baltë, shpifur, nxitur panik, pa krijuar alarm vetëm e vetëm për politikë. Mbi të gjitha, a mund tu besohet atyre faza finale e kësaj lufte në këtë udhëkryq të 25 prillit kur personaliteti i tyre më i njohur, më i respektuar, edhe më i dashur, doktor Halim Kosova, del e thotë publikisht se ku janë ata në raport me këtë luftë dhe se cilët janë ata që japin mend dhe bëjnë akuza në mes të kësaj lufte.

Unë them jo, nuk mund tu besohet atyre vazhdimi i asnjërës prej punëve që kemi nisur.  Si mund tu besohet atyre fati i luftës në këtë përballje për shëndetin e të gjithë njerëzve tanë. Në këtë përballje me një armik që nuk zgjedh demokratë apo socialistë, nuk sheh majtas dhe djathtas, nuk do t’ia dijë se nga vjen, kush je, sa ke, por godet. Ashtu si ky armik nuk na ndan por na godet nga të katër anët ashtu ne nuk duhet të ndahemi por duhet të jemi të bashkuar nga të katër anët duke lënë pas krahëve politikën dhe duke u përqëndruar te lufta për shëndetin.

Rama komentoi edhe rastin e sanitares Tire Alldervishi, duke ju referuar si shëmbëlltyre e shpir e sistemit por jo arsye për të sulmuar sistemin.

Rama: Shëmbëlltyra e shpifur e sanitares që hiqej si infermiere dhe u demaskua botërisht nga një emision investigativ është një lajm i mirë për faktin që u spastrua nga organizimi i sistemit tonë shëndetësor, një bandë e mirëfilltë. As nuk mund ta vë në dyshim se kjo bandë e mirëfilltë ishte një fenomen krejt i izoluar, krejt i veçantë dhe unikal dhe se në atë organizëm nuk ka të tjerë batakçinj dhe shëmbëlltyra të ngjashme. Por është e pamundur të pranoj dhe pajustifikueshme për këdo që i thotë vetes njeri që për shkak të asaj neverie ti fusë të gjithë në një thes dhe të shohë te çdo mjek një të dyshuar,  te çdo infermier një të akuzuar dhe të shohë te  gjithë kjo trupë një arsye për të sulmuar. Kjo është e pajustifikueshme.

Pak orë para se të bëhej publik lajmi për përfshirjen e Najada Çomos në ekipin e PS për zgjedhjet e 25 prillit, mjeku infeksionist  Tritan Kalo me anë të një statusi në facebook njoftoi largimin e tij nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Ai akuzon infektimin e bluzave të bardha nga politika, duke hedhur dyshime edhe mbi vendimet e Komitetit të Ekspertëve për menaxhimin e pandemisë në Shqipëri.