Kryeministri, Edi Rama, ka hapur siparin e parafushatës elektorale. Kryefjalë e saj duket se do të jetë reforma në drejtësi.

Për kreun e socialistëve, zgjedhjet lidhen në radhë të parë me fatin e drejtësisë në Shqipëri për një kohë të gjatë pas 25 prillit, mbase një dekadë të tërë.

Për ata që janë lodhur nga pritja e gjatë dhe zhgëjimi ndër vite nga drejtësia e munguar ai pati këtë mesazh.

“Kjo lodhje mund t’ju çojë në drejtimin më të gabuar të mundshëm në zgjedhjen tuaj në 25 prill. Nuk është punë që bëhet shpejt, kërkon më shumë kohë, më shumë punë dhe vendosmëri se çdo punë tjetër. Këtë punë mund ta nisë dhe bitisë vetëm PS. Mos u gënjeni nga zhgënjimi jua i gjithë këtyre viteve. Mos e harroni cfarë kemi hequr për ta votuar atë reformë me ata që sot kërkojnë votën tuaj për të rimarrë drejtimin e këtij vendi dhe për ta çuar në djall reformën në drejtësi, të cilët i shihni frikën mu si djalli temianit”.

Rama tregoi se pse nuk kemi pas prangave asnjë zyrtar të lartë për korrupsion.

“Ju mund të thoni që ikën katër vjet që ta dhamë timonin dhe kush është futur në burg nga ata që ju e dini dhe unë e di, që prej kohësh duhet të jepnin llogari para drejtësisë për bëmat e tyre publike dhe jo të shesin akoma dëngla patriotike. Pyetje e dhimbshme me një përgjigje të dhimbshme. Askush. Vettingu nuk është gjykatë speciale partizane, është fshesa e pastrimit të pallatit të drejtësisë nga llumi i kalcifikuar”.

Edi Rama akuzon presidentin Meta dhe ish-kryeministrin Berisha si frymëzues dhe udhëheqës  kundër reformës në drejtësi.

“Frymëzuesit dhe udhëheqëesit e kundërreformës janë dy të frikurit më të mëdhenj nga drejtësia janë presidenti i republikës dhe ish-presidenti më famëkeq i republikës. Ata mbështeten nga kasta e korruptuar e gjykatësve, prokurorëve të pastruar prej fshesës së vettingut apo atyre që bëjnë krime me çekiçin e drejtësisë deri kur tu vija dita e fshesës së vettingut. PD, LSI dhe KÇK-ja sot janë  tre këmbët e të keqes me dy koka presidentësh që kërcënon fatin e reformës në drejtësi”.