Kryeministri Edi Rama nuk është konsultuar me Presidentin Ilir Meta për ta çuar Shqipërinë në Hagë përballë Greqisë për çështjen e Detit. Këtë e ka pranuar vetë Meta nga Korça, i cili i kujton kryeministrit se kush është kreu i shtetit. Ndërsa për akuzat ndaj tij për dhënien e nënshtetësisë, Presidenti i ka quajtur shpifje të sponsorizuara.

Kriza konstitucione ndërmjet Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama ende nuk ka marrë zgjedhje, madje as për çështje me interes kombëtar, siç është përcaktimi i kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Këtë e ka pranuar vetë kreu i shtetit, i cili nga Korça është shprehur se për dakordësinë e Tiranës dhe Athinës zyrtare për të shkuar në Hagë e ka marrë vesh nga media greke.

Edi Rama nuk është konsultuar me Ilir Metën për marrëveshjen e dakordësuar mes Shqipërisë dhe Greqisë për të vajtur në Hagë.

“Unë për këtë çështje duhet të falenderoj mediat greke dhe përfaqësues të Greqisë, nga të cilët marrim më shumë informacion. Nuk është konsultuar me mua, por duhet të jetë konsultuar me ndonjë president tjetër këtej vërdallë. Se ka marrë vesh akoma që Presidenti i Shqipërisë është një he vetëm një, që është Ilir Meta”, ka thënë Kreu i Shtetit.

Akuzave per Besa Shahinin
Por Meta i është përgjigjur edhe akuzave të mazhorancës në lidhjen me dhënien e nënshtetësisë dhjetëra personave, mes të cilëve edhe emra brenda kabinetit qeveritar të Edi Ramës.

“Të gjitha këto janë shpifje. Në rast se Presidenti Meta nuk do të përdorte procedurën e posatçme, zonja Besa Shahini që ka qenë ministre e Arsimit për 2 vjet, nuk do të kishte marrë akoma nënshtetësinë në Shqipëri, me procedurat e Ministrisë së Brendshme, jo më të ishte bërë ministre e Arsimit.

Meta ka nënvizuar faktin se qeveria ka kërkuar disa herë nga ai për dhënie nënshtetësie në mënyrë të përshpejtuar.