I ftuar në PolitikOn nga Alfred Lela në RTV Ora, kryeministri Rama u shpreh se në vitin 2013, në regjistrat e shteti, ka pasur 439 mijë të punësuar, sot ka 673 mijë të punësuar.

Rama: Dua të bëj një saktësim për të gjithë ata që mendojnë se politikanët, kur premtojnë gënjejnë. Nuk është vërtetë, sigurisht që ka të tillë, por ka plot që shtrojnë para njerëzve një sërë ambiciesh të shoqëruara me zotime.

Sikur ka thënë një njeri më i mençur, fushata është poezi dhe qeverisja prozë. Sigurisht që në procesin qeverisës jo gjithçka shkon vaj dhe futen në mes ngjarje si tërmeti, përmbytje ose diçka tjetër. Ka ngjarje në procese si aeroporti i Vlorës që nuk po mbyllet dot, pasi për një projekt duhet filluar nga konceptimi, financimi dhe gjithë procedurat e tjera.

Unë besoj se ne jemi në linjë me gjithë premtimet tona. Na thanë se kemi premtuar 300 mijë vende pune dhe më thanë se gënjeva. Në vitin 2013, në regjistrat e shteti, ka pasur 439 mijë të punësuar, sot ka 673 mijë të punësuar. Bëjeni diferencën! Me këto ka edhe ato që janë punësuar nga dy herë.

Sot janë 720 mijë vende punë aktive nga 450 mijë vende që ka pasur në vitin 2013. Ne jemi në linjë me premtimin e punësimit. Këto janë të regjistruara. Ndërsa papunësia, sipas Bankës Botërore ne kemi numrin më të ulët në rajon, 11%. Nëse krahasohemi me Gjermaninë nuk krahasohemi dot. Papunësia është ulët në nivelin më të ulët në rajon.