Deklaratat e Kryeministrit grek për të shtrirë me 12 milje ujërat tërritoriale në detin Jon ka rindezur përplasjen me Edi Ramës dhe Ilir Metës. Kreu i qeverisë shqiptare shprehet se kërkesat e Greqisë nuk prekin marrëveshjen e detit mes Athinës dhe Tiranës, ndërsa i kërkon presidentit Meta të mos bëjë rafting me Kushtetutën.

Kryeministri Edi Rama nga Viena deklaron se deklarata e homologut të tij grek për të zgjeruar ujërat territoriale deri në 12 milje nuk kanë lidhje me marrëveshjen për detin mes Athinës dhe Tiranës. Në një bashkëbisedim me gazetarët Rama kërkon të heqë të gjitha dyshimet se Greqia nuk do të marrë nga ujërat territorialë të Shqipërisë.

Edi Rama: ‘’Deklarata e kryeministrit Mitsotakis për zgjerimin e ujërave territoriale të Greqisë nuk ka lidhje me ujërat tona territoriale. Nuk ka lidhje me marrëveshjen me të cilën po punojmë, por që nuk e kemi arritur me palën greke. Nuk ka lidhje me asgjë nga ato që jan֝ë thënë në mënyrë të qëllimshme ose nga padituria për të nxitur një shqetësim në mënyrë artificiale. Pse nuk ka lidhje? Sepse shtrirja në 6 milje plus në ujëra territoriale është e drejtë e çdo vendi. Këtë të drejtë Shqipëria e ka ushtruar, ne jemi shtrirë në ujërat tanë territorialë me 6 milje në vitin 1990. E kemi ushtruar këtë të drejtë, e kemi depozituar në OKB në mars të vitit 1990, Greqia nuk kontestoi dhe nuk ka çfarë konteston. Atyre që pyesin që ku po shtrihen, po ju them se midis ujërave territoriale të vendeve, ka ujëra të ndërmjetëm. Pra, njësoj siç ka midis vendbanimeve dhe midis shteteve për të kaluar, ka dhe rrugë për të kaluar në det, që janë rrugët e përbashkëta.”

Për këtë situatë ende të paqartë për vendin tonë pasi nuk ka informacion zyrtar, Presidentit Ilir Meta i tregoi një ditë më parë Edi Ramës vendimin i 2010 të Gjykatës Kushtetese. Në kundërpërgjigje të tij, kryeministri u mundua t’ja shpjegojë këtë çështje kreut të shtetit duke marrë si shembull sportin e preferuar në kanionet e Skaraparit.

Edi Rama: ‘’Ajo që unë di është që në rradhë të parë presidenti duhet të informohet mirë, dhe në vend se të thotë se për çfarë është aty, të bëjë atë që duhet bërë, dhe mos të ngatërrojë kushtetuën e Shqipërisë me të drejtën e detit të Greqisë. Mos ta ngatërrojë, mos ta hedhi fjalën sikur kapeni tani hajdeni mbronn kushtetutën. Për fat të mirë të kushtetutës presidenti nuk ka lidhje fare, sepse nuk hyn fare e drejta kushtetuese shqiptare, në të drejtën e vendit fqinj për të ushtruar atë që ia jep konventa ndërkombëtare dhe që nuk prej ujërat territoriale të Shqipërisë. Është si puna e shkëmbinjve të Skraparit. Ka shkëmbinj nga një anë, shkëmbinj nga ana tjetër, dhe në mes një rrjedhë ujore. Konventa ndërkombëtare të jep të drejtë të marrësh nga ajo rrjedhë ujore. Shqipëria e ka marrë, Greqia do e marrë. Presidenti mos të shqetësohet, nuk është koha për të bërë rafting me Kushtetutën dhe me një çështje të marrëdhënies ndërkombëtare dhe të fqinjësisë.” Për kufirin detar ka reaguar dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili reagimet e Ramës i konsideron dërdëllitje rrugaçërore.

Madje duke kërkuar transparencë, ai shprehet se historitë me sapunë duhet ti ruajë për më vonë.

Lulzim Basha: Lëri dërdëllitjet prej rrugaçi Edi Rama. Bëj transparencë çfarë po ndodh me negociatat për detin. Historitë me sapun ruaji se do të duhen më vonë…”

Por në përgjigje Rama shprehet se negociatat për detin janë ndalur me ndryshimet në qeverinë greke, teksa shton se marrëveshja e rrëzuar nga Kushtetuesja është firmosur nga vetë Basha.

Edi Rama: Për çfarë transparence e ke fjalën Lulëzim, kur s’ka as marrëveshje, as negociata qysh se ka ndryshuar qeveria në Greqi, ndërkohë që as me qeverinë e mëparshme marrëveshja s’është arritur?!Ti do teatër vëlla që të zbavisësh ata që të vijnë në shfaqje, të kuptoj, lum ti medet ata!

Ndryshe nga çfarë mendon politika në Tiranë për drejtimin e Edi Ramës, kryeministri shqiptar tregon ngazëllimin e tij për vlerësimin e partnerëve ndërkombëtarë për drejtimin e OSBE-së nga Shqipëria.

Më herët Rama në mbledhjen e Këshillit Special të OSBE-së i kërkoi Presidentit bjellorus Lukashenko që të pranojë ofertën e tij për të lehtësuar dialogun mes tij dhe opozitës, pa mabjtur anë dhe pa ndërhyrë në çështjet e brendshme të Minskut.

Lexo edhe: Rama: Deklarata e Mitsotakis s’ka lidhje me ne, ende pa marrëveshje detare me Greqinë