Zjarri në Malin e Thatë vijon të jetë aktiv, rrezikohen zonat e mbrojtura, pritet ndërhyrje nga ajri për neutralizimin e flakëve
60 forca, 30 prej të cilëve nga forcat e armatosura vazhdojnë të jenë të angazhuar për izolimin e flakëve në Malin e Thatë.
Me gjithë ndërhyrjen e 3 helikoptereve, dy të palës maqedonase dhe Cougar i ministrisë së mbrojtjes, edhe mëngjesin e sotëm vatrat e zjarrit vijojnë të jenë aktive. Kjo edhe për shkak të temperaturave të larta që favorizojnë përhapjen e flakëve në kullota e bimësi të ulët.
Sipas të njëjtave burime punojësit që po merren me shuarjen e flakëve janë të ndarë në 3 grupe me qëllim izolimin e flakëve para se të depërtojnë në sipërfaqet me ah, që i përket zonës tonë të mbrojtur
Ajo çfarë e bën tejet të vështirë punën e punonjësve të shërbimit zjarrfikës, të ushtrisë, policisë, zonave të mbrojtura dhe emergjencave civile është terreni tejet i thyer malor duke mos lejuar mjetet zjarrfikëse të shkojnë deri në afërsi të vatrave të zjarrit.
Pritet që edhe ditën e sotme të ketë operacion me helikopter nga ajri.