Zgjedhjet lokale në Kosovë, Abazi: Lista serbe vepron me akte kriminale, s'mund të flasim për proces demokratik

Kosova zhvilloi më 17 tetor zgjedhjet lokale. Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të fitojë në asnjë komunë pa balotazh, ndërsa ish-kreu i LVV në Shqipëri Boiken Abazi në një intervistë për Ora News tha se kanë pritur të  fitojnë më shumë. Megjithatë në gjykimin e Abazit Vetëvendosja është e para me votë popullore.

Abazi: Ne kemi pritur më shumë, të fitojmë më shumë komuna pa balotazh por kur kemi hyrë në zgjedhje para 8 vjetësh kemi dalë të katërtit, para 4 vjetësh kemi dalë të tretët dhe tani jemi të parët me votë popullore edhe pse diferenca me dy partitë e tjera nuk është shumë e madhe. Së dyti jemi në balotazh në 12 komuna dhe janë një pjesë e mirë në qytete kryesore. Sa i përket tentativës që të gjykohet qeveria Kurti në bazë të rezultateve të zgjedhjeve lokale, ata që e njohin politikën e dinë që është shumë e vështirë të bësh analogjinë mes zgjedhjeve në nivel të përgjithshëm dhe në nivel lokal. Partitë e tjera kanë pësuar rënie.

Fituesja e këtij raundi të zgjedhjeve është Lista Serbe, e cila fitoi nëntë komuna nga 10 ku garonte. Abazi shprehet se lista sërpska vepron me akte kriminale dhe nuk mund të flasim për një proces të rregullt dhe demokratik zgjedhor.

Abazi: Lista serbe vepron me akte kriminale dhe për këtë ka pasur denoncime. Në të kaluarën ka pasur bomba që janë vendosur nga lista sërpska ndaj kandidatëve të partive të tjera ose eksponentë të lidhur me listën sërpska. Qytetarët serbë të Kosovës nuk e kanë në fakt as hallin, as frikën nga qeveria Kurti. Ata janë të trembur dhe kërcënuar drejtpërdrejt me jetën e tyre dhe vendin e punës nga Beogradi mes tyre dhe lista sërpska e cila përmes dhunës dhe blerjes ka arritur ta kanalizojë votën e serbëve në Kosovë në favorin e vet. Nuk jemi duke folur për një proces të rregullt dhe demokratik kur flasim për listën sërpska.

Në përfundim të fjalës së tij, Abazi u shpreh se Prishtinën e merr Vetëvendosja. 

EMISIONET