Vulin: SHBA-ja të bindë Kosovën për një zgjidhje

Vulin: SHBA-ja të bindë Kosovën për një zgjidhje

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin, deklaroi më 1 gusht se “muaji i ardhshëm duhet të shfrytëzohet për marrëveshje dhe diplomaci”, teksa komentoi bllokadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Brendshme serbe, Vulin porositi serbët në Kosovë se “nuk duhet t’i besojnë Prishtinës dhe duhet t’i besojnë Serbisë së tyre dhe presidentit Aleksandar Vuçiq”.

Ai tha se nuk pret asgjë nga Prishtina, por pret që Bashkimi Evropian – nën ndërmjetësimin e të cilit u arritën dy marrëveshje për formimin e Asociacionit – të formojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Unë pres që Shtetet e Bashkuara, që kanë treguar se kanë ndikim të madh në Kosovë, të vazhdojnë ta përdorin këtë ndikim për të mirë... të vazhdojnë ta përdorin ndikimin për ta bindur [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurtin që të arrijë një zgjidhje. Në thelb, kjo nuk është çështje mes Prishtinës dhe Beogradit, por është një çështje mes Beogradit e BE-së dhe shteteve që kanë ndikim në Kosovë. Shpresoj që këtë muaj të kemi bisedime që do të çojnë në arritjen e paqes në Kosovë”, tha Vulin.

Vulin theksoi se bashkësia ndërkombëtare veçse ka pasur një reagim adekuat sa i përket tensioneve në Kosovë.

“...Ata gjithmonë do të jenë në anën e Kosovës, por ka disa çështje kur nuk mund të jesh”, shtoi Vulin.

Komentet Vulini i bëri në kohën kur shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të takohen në Bruksel, për të vazhduar dialogun.

Sipas burimeve të REL-it, në takim është paraparë të bisedohet për të gjitha çështjet e hapura

Më 31 korrik, serbët lokalë në Kosovë vendosën barrikada në veri të vendit.
Barrikadat ishin kundërpërgjigje ndaj dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Sipas vendimit, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë do të pajisen me një dokument për hyrje-dalje me të hyrë në territorin e shtetit. Ky dokument do të vlejë për 90 ditë.

Ndërkaq, vendimi i dytë për targat thotë se të gjithë personat që kanë makina me targa me akronim të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, duhet t'i riregjistrojnë makinat e tyre.

Pas tensioneve në veri të Kosovës, Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimit për 30 ditë, kur të hiqen barrikadat.

Disa barrikada në Rudarë nisën të largohen paraditen e 1 gushtit

EMISIONET