Vuçiç nuk shkon në Bruksel për shkak të Ukrainës! Këshilltarja: Ata që e thonë këtë nuk dinë asgjë për Presidentin dhe politikën e Serbisë
Këshilltarja për media i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar ndaj lajmeve se lideri serb dyshohet se është trembur nga udhëtimi në Bruksel sepse atje e presin presione të reja për shkak të mos vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.
“Ata që thonë se Aleksandar Vuçiç kishte frikë nga sulmet dhe kritikat e dikujt, padyshim që nuk dinë asgjë për presidentin Vuçiç dhe karakterin e tij, apo politikën e Serbisë”, tha Suzana Vasiljeviç.
Këshilltarja e Vuçiçit për media i është përgjigjur gjetjeve të një burimi të Blic, i cili tha se presidenti po i shmangej vizitës në Bruksel.
“Pas gjithçkaje qëndron presioni i BE-së që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe frika e Vuçiçit se ato do të intensifikohen kur ai të shkojë në Bruksel”, tha burimi.
Vuçiç më herët gjatë ditës së sotme ka njoftuar se do të konsultohet me liderët e Open Balkans për udhëtimin në Bruksel dhe se është marrë vesh që vendimin ta shpallë nesër.