Vuçiç dhe Rama me paralajmërim nga Davosi: Po rritet euroskepticizmi në Maqedoninë e Veriut
Bashkimi Evropian (BE) duhet të mendojë seriozisht nëse do të vazhdojë të mbajë të njëjtin kurs politik ndaj shteteve kandidate nga Ballkani Perëndimor në të cilat mbizotërojnë kushtet politike dhe territoriale, sepse mbështetja e qytetarëve po zvogëlohet dita-ditës dhe nacionalizmi po rritet", thanë presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri shqiptar Edi Rama nga samiti ekonomik në Davos.
Vuçiç dhe Rama folën për presionet politike që janë përgjegjëse për rënien e besimit në Bashkimin Evropian në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas Vuçiç, kjo është më e dukshme në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Mal të Zi.
Për Ramën është thelbësore që BE të hapë fonde dhe të rrisë ndihmën financiare, veçanërisht për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“BE duhet të na përfshijë më shumë. Unë nuk pretendoj se do të marrim të njëjtat fonde si fqinjët tanë që nuk janë më në Ballkan. Por ne duhet të marrim diçka. Maqedonia e Veriut duhet të fitojë. Ne po flasim vazhdimisht për Serbinë sepse është në trend, por Maqedonia e Veriut është në rrezik të madh që të bjerë në një nacionalizëm të thellë që mund të shkaktojë shumë probleme. Sipas informacioneve të mia, popullariteti i Rusisë dhe Putinit atje është shumë më i lartë se BE-ja”, tha Rama.
Rritja e euroskepticizmit dhe popullariteti i Rusisë në Maqedoninë e Veriut ngjall frikë.
“Çfarë pritet për shkak të presioneve të ndryshme politike? Për ne është Kosova, për Maqedoninë e Veriut janë çështjet e identitetit dhe në Mal të Zi në një nivel të caktuar”, tha Vuçiç.
Vuçiç beson se përballja me euroskepticizmin kërkon një qasje racionale dhe reforma gjyqësore brenda shteteve.
Ndërsa për kryeministrin shqiptar, kriteret për hyrjen në BE tani janë shumë më të rrepta se në të kaluarën.
Ai tha se më shumë se gjysma e vendeve anëtare të BE-së tani nuk do mundeshin t'i bashkohen kësaj organizate, duke shtuar se në mesin e tyre ka shtete që janë edhe themeluesit e unionit.