Ukraina fut në sherr politikën kroate, Presidenti: Të distancohemi nga konflikti; Kryeministri: Deklaratë si e zyrtarëve rusë

Ukraina fut në sherr politikën kroate, Presidenti: Të

Konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës është reflektuar në mosmarrëveshje mes presidencës dhe qeverisë në Kroaci, presidenti kroat nuk do t’i përgjigjet thirrjes së NATO-s për të dërguar trupa në Kiev, ndërsa kryeministri i kërkon falje Kievit për këto deklarata.

Deklaratat e presidentit kroat, Zoran Milanoviç se Kroacia e cila është anëtare e NATO-s duhet të qëndrojë larg konfliktit të Rusisë me Ukrainën kanë vënë në siklet qeverinë e Andrej Plenkoviç.

Milanoviç shkoi edhe më tej, duke e quajtur Ukrainën shtet të korruptuar dhe se në rast konflikti Kroacia do të tërheqë të gjithë trupat e saj ushtarake nga Kievi.

Në një reagim të tij, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç i ka quajtur deklaratat e presidentit të pavërteta edhe fyese.

Kryeministri Plenkoviç tha se i ka kërkuar falje Kievit për deklaratat e presidentit Milanoviç.

Plenkoviç: Në emër të qeverisë së Kroacisë i kërkoj falje popullit të Ukrainës, një nga vendet e para që njohu shtetin tonë. Disa pjesë të Ukrainës janë aktualisht të pushtuar nga Rusia, njësoj si disa pjesë të Kroacisë në vitet '90.

Në një reagim po nga qeveria, Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë ka deklaruar se nuk ka ushtarë kroatë në Ukrainë dhe se të vetmit oficerë pranë zonës së tensioneve ndodhen në Poloni.

Presidenti Milanoviç ka një mori reagimesh dhe shpërthimesh pa doreza për çështje të ndryshme, që shpesh herë e kanë vënë në siklet qeverinë e qendrës së djathtë të Plenkoviçit.

Më e fundit ishte ajo për anëtarin serb të Presidencës së Bosnje Hercegovinës, ku Milanoviç tha se zyrtarët evropianë që do të ndërmarrin sanksione ndaj Milorad Dodik janë tradhtarë.

EMISIONET