Takimi Porfirije-Putin/ Reagon Kurti: Partneritet strategjik që e vë rajonin në rrezik serioz!

Takimi Porfirije-Putin/ Reagon Kurti: Partneritet strategjik që e vë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se takimi mes kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije dhe presidentit të Rusisë Vladimir Putin nuk ishte një diplomaci fetare, por një partneritet strategjik i regjimeve autoritare që vë rajonin në rrezik serioz. Kurti e cilësoi takimin e zhvilluar në Kremlin më 22 prill si shqetësues dhe tha se Kisha Ortodokse Serbe për një kohë të gjatë ka luajtur rol aktiv politik.

“Patriarku [Porfirije] bëri thirrje për një rreshtim më të gjerë gjeopolitik nën udhëheqjen ruse, duke përsëritur se ‘varka e vogël serbe, duke lundruar në një det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur pas anijes së madhe ruse’. Ai po ashtu sugjeroi se qëndrimi i Serbisë ndaj fqinjëve të saj Kosovës, Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi – varet nga pozita globale e Rusisë”, shkroi Kurti në X.

Kurti tha se deklarata e bërë nga Porfirije për rreshtimin gjeopolitik u bënë para se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, të vizitojë Moskën. Vuçiç ka konfirmuar se ai do të marrë pjesë në shënimin e Ditës së Fitores më 9 maj në Moskë, vizitë që është kritikuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë takimit në Kremlin, Porfirije kishte cituar fjalët e patriarkut e mëhershëm serb, Irinej, i cili kishte thënë se varka e vogël serbe, duke lundruar në një det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur pas anijes së madhe ruse.

Qëndrimi ynë për Kosovën, Republikën Sërpska [entitet në Bosnje e Hercegovinë] dhe Malin e Zi, e konsideroj dhe e ndiej se varet edhe nga qëndrimi i Federatës Ruse në nivel global. Dëshira ime, dhe e shumicës në Kishën tonë, është që në të ardhmen, nëse ndodh një rigrupim i ri gjeopolitik, të jemi pranë atij rrethimi rus, në botën ruse”, deklaroi Porfirije.

Lidhur me deklaratat e patriarkut serb një ditë më parë kishte reaguar edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila tha se ato cenojnë sovranitetin e Kosovës dhe nxisin përçarje në gjithë rajonin. Edhe nga Mali i Zi kanë reaguar për komentet e bëra nga kreu i Kishës Ortodokse Serbe gjatë takimit në Kremlin me Putinin, duke i cilësuar si të papërshtatshme dhe të papranueshme. 

EMISIONET