NATO tregon dhëmbët për Kosovën, Stoltenberg: Kemi katër mijë trupa në Kosovë për çdo rast
Tensionet në veri të Kosovës të shkaktuara nga pala serbe kanë sjellë në plan të parë NATO-n në rajon. Si Kurti dhe Vuçiqi shkuan në Bruksel për t’u takuar me shefin e NATO-s që theksoi se aleanca ka katër mijë trupa në Kosovë dhe do ta mbrojë paqen me të gjitha mënyrat. Analistët e rajonit janë të shqetësuar për një përdorim të Serbisë nga ana e Rusisë për t’i fryrë tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka qenë i prerë dhe i qartë për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kemi katër mijë trupa në Kosovë dhe jemi të gatshëm për të ndërmarrë çdo masë për të siguruar paqen, tha Stoltenberg.
Këto komente Stoltenberg i bëri gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës ndërkaq ka folur për çështjen e targave. “Po heqim targat e kohës së Millosheviçit, ashtu siç është rënë dakord në Bruksel me Serbinë, dhe po vendosim targat e reja”, ka thënë Kurti.
Më herët, Stoltenberg pati konferencë dhe takim me presidentin serb Aleksandër Vuçiq ku theksoi edhe një herë se KFOR-i do të marrë çdo masë të nevojshme për paqen në rajon, ndërsa i inkurajoi palët që të angazhohen në dialog.
Nga ana tjetër, Vuçiç deklaroi se pret që takimi i së enjtes me Kurtin në Bruksel të jetë i vështirë dhe se ka mosmarrëveshje me Kosovën pothuajse për të gjitha çështjet.
“Duam të shmangim çdo mundësi përshkallëzimi apo të ndonjë konflikti”, tha Vuçiç, duke shtuar se respektojnë rolin e NATO-s në Kosovë dhe se duan të rrisin bashkëpunimin me NATO-n.
Më herët, Vuçiç ka përsëritur disa herë gjatë muajve të fundit skenarin e një lufte, teksa ka ashpërsuar tonet ndaj Kosovës.
Fjala e tij përpara popullit serb përpara pak javësh, u komentua gjatë nga analistë amerikanë dhe evropianë se ishte njëjtë me atë të Milosheviçit dhe Putinit, ku justifikonin pushtimet me anë të prezumimeve se po sulmohen serbët apo rusët në Ukrainë.