Shqetësime për të drejtat e njeriut, brenda burgut të Gjilanit ku do të priten 300 të dënuar nga Danimarka
Ky është burgu i Gjilanit në Kosovë… Kjo strukturë e vuajtjes së dënimit ka nisur me përshtatjen me standardet europiane pasi i është dhënë me qira shtetit të Danimarkës.
Burgu i Gjilanit po zhvendos të gjithë të dënuarit kosovarë për të mundësuar mbërritjen e 300 të burgosurve nga vendi nordik. Kjo lëvizje është kritikuar ashpër nga ekspertët për të drejtat e njeriut në Danimarkë, gjithashtu ka ngritur shqetësime në Kosovë për çështjen e sigurisë. Drejtori i shërbimit të burgjeve qartëson publikun.
“Është e rëndësishme që të dimë se nuk do të vijnë individë që janë dënuar për terrorizëm, apo janë me burgim të përjetshëm. Nuk do të marrim askënd që vuan nga sëmundje të rënda apo me probleme psikike. Ata që do të vijnë do të jenë njësoj sit ë dënuarit në burgjet e tjera në Dubravë apo Smerkovnicë”, tha Ismail Dibrani, drejtor i Shërbimit të Burgjeve në Kosovë
Ai konfirmon përfitimet e mëdha për Kosovën.
“Përveç benefiteve materiale që do të jenë rreth 210 milionë euro për 10 vite, më shumë se i gjithë buxheti vjetor për drejtorinë e burgjeve, ne do të kemi mundësinë për mësuar nga praktikat më të mira të sistemit të burgjeve të Danimarkës.”
Banorët aty afër tregojnë shqetësimet që kanë. “Problemi kryesor për ne është rruga. Në fshat kalojnë furgonë policie dhe vizitorët me makinat e tyre. Ata kanë premtuar të ndërtojnë një rrugë tjetër, por përdorin rrugën tonë dhe ecin shumë shpejt”, tha banori i fshatit Pasjak, Rinor Behluli.
Rojet kosovare të burgjeve do të trajnohen nga autoritetet daneze për të garantuar trajtimin e të dënuarve sipas rregullave për të drejtat e njeriut. Të burgosurit e parë pritet që të vijnë 21 muaj pas nisjes së rikonstruksionit të burgut të Gjilanit që nis për pak javë.