SHBA mbështet Ballkanin e Hapur, ambasadori amerikan në Beograd u takua me presidentin Vuçiç

SHBA mbështet Ballkanin e Hapur, ambasadori amerikan në Beograd u

Pas miratimit që mori nga Këshilli Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se e mbështesin nismën serbe Open Ballkan. I dërguari i Uashingtonit në Beograd i dha presidentit Vuçiç mbështetjen e plotë për iniciativën rajonale.

Shtetet e Bashkuara mbështesin iniciativën serbe Ballkani i Hapur.

Kështu është shprehur ambasadori amerikan në Beograd në një takim që pati gjatë së hënës me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

“Ne mbështesim nismën e Ballkanit të Hapur dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në zhvillimin e saj më të shpejtë. Shtetet e Bashkuara do të mbështesin gjithmonë përpjekjet për thellimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal në një mënyrë që promovon integrimin me Bashkimin Evropian.”

Nismën serbe të Ballkanit të Hapur e ka mbështetur vendi ynë dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa tre shtetet nuk kanë mundur të  bindin Prishtinën, Podgoricën dhe Sarajevën.

Javën e kaluar, dy krerët e shteteve të Kosovës dhe Malit të Zi, Vjosa Osmani dhe Millo Gjukanoviç rikonfirmuan se nuk do të rendnin për t’u bërë pjesë e nismës serbe rajonale ekonomike.

Në fund të vitit të kaluar, zv./ndihmës sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar deklaroi se Uashingtoni mbështeste nismën Open Balkan, por sugjeroi se që ajo të ishte e plotë duhet të përfshiheshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai nuk specifikoi nëse nisma nuk funksiononte në kushtet aktuale, vetëm me tre vende, apo po u bënte thirrje tre shteteve të tjera që s’bëjnë pjesë në Open Balkan që t’i bashkoheshin iniciativës ekonomike rajonale.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Vuçiç dhe ambasadori Kristofer Hill u pajtuan se bisedimet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian janë mënyra e vetme për zgjidhjen e çështjeve mes dy vendeve.

EMISIONET